Këshilltari i Partisë Socialiste, Alfred Kika Muharemi, deklaroi se “kushdo që e shpërdoron besimin e Partisë Socialiste” duhet të përballet “me një sistem të pavarur të cilin e ka krijuar po kjo qeverisje socialiste”.
“Përgjegjësia politike e kësaj shumicës qeverisëse nuk mund të vendoset në peshore të drejtë kur për 14 vite kjo qeverisje ka pasur mbi 80 ministra, ka pasur mbi qindra zëvendësministra, ka pasur me mijëra drejtorë të përgjithshëm, të cilët kanë rinovuar sektorët e tyre. Nuk mund të jetë përgjegjësi politike e shumicës qeverisëse kur ka qenë e vetmja që në momentin që ka bërë Reformën në Drejtësi është shprehur që “mbrojtje politike nuk do të ketë askush, përgjegjësia do të jetë individuale dhe mos shpërdëroni besimin e kësaj force politike që është me mbështetjen e 850 000 individëve”. Kjo është thënë nga kryeministri Edi Rama dhe më pas vazhdon e gjithë fryma deri tek anëtari më i thjeshtë i kësaj organizate. Tani nëse i “fluturojnë pëllumbat” një zyrtari të Republikës së Shqipërisë dhe merret me korrupsion, të marrë përgjegjësi. Kushdo që e shpërdoron besimin e Partisë Socialiste, përgjegjësia politike e Partisë Socialiste është që ai të përballet me drejtësinë pa mbrojtje politike dhe të përballet me një sistem të pavarur të cilin e ka krijuar po kjo qeverisje socialiste”, tha Muharemi Kika në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN. (A2 Televizion)