Rikthimi i demokratëve në Kuvend, për hir të buxhetit, nuk ishte i qetë. Shkak për ngritjet e zërit mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës u bë vendimi i Gjykatës Administrative për uljen e masës së dënimit të demokratëve.
Opozitarët kërkuan shkarkimin e atyre që firmosën dënimin e tyre me 60 ditë, por ndryshe u lexua nga radhët e PS vendimi i administratives.
“Ti, zonja Spiropali, ai deputeti tjetër që si mbaj mend emrin dhe ai që është në burg, duhet të dorëhiqeni se kemi penguar për 30 ditë opozitën të marrë pjesë në seancat plenare”, tha Gazment Bardhi, kreu i grupit të PD-së.
“Ky vendim i Gjykatës Aministrative nuk ka rrëzuar thelbin, ka konsideruar se përjashtimi është i ligjshëm, ka ulur masën”, reagoi Taulant Balla.
“Edhe ne mund të mos jemi dakord më ketë vendim gjykate. Madje ka shumë komente të një vendimi gjykatë që merr atributet e organeve kolegjiale të Kuvendit. Është gjykata e lartë që e ka arsyetuar që një gjykatë nuk mund të ndërhy dot në një vendimmarrje kolegjiale të Kuvendit”, u shpreh Niko Peleshi, kryetar, Grupi Parlamentar i PS.
Ende pa u ezauruar çështja e vendimit të Gjykatës Administrative, nga demokratët erdhi paralajmërimi se mosbindja do të vijojë, shoqëruar nga kundër njoftimi se edhe pasojat nuk do të ndryshojnë.
“Ne këtu jemi për betejë, mosbindja civile do të vijojë, deri sa t’iu kërrejmë”, tha Noka.
“Sa herë që të kërkoni të bëni politikë me dhunë, do dënoheni prapë. Jo se u dënon PS, por u dënon ligji dhe morali. Nëse mendoni se merrni një votë më shumë po dogjët karriget digjini prapë”, tha Blendi Klosi - Sekretar i Përgjithshëm i PS.
Nga debat parlamentar, replikat mes kreut të grupit të PD Gazment Bardhi dhe ministrit Ervin Hoxha, u kaluan në çështje personale.
“Ti o i shërben ligjit, o i shërben krimit. Por ti e ke bërë zgjedhjen tënde, t’i i shërben krimit nuk ke asnjë lidhje me ligjin ti”, u shpreh Bardhi.
“Zoti Bardhi e kam me ju, më dëgjo një sekond. Në pikëpamje të analizës psikokriminale që unë e kam për shkak të detyrës, ti hyn tek njerëzit përsëritës gënjeshtar”, tha Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm.
Mllefit të Gazment Bardhit nuk i shpëtoi as Presidenti Bajram Begaj.
“Presidenti të qëndrojë larg fushatës zgjedhore, për të ndërtuar dy vila për dy djemtë e tij”, akuzoi Bardhi. (A2 Televizion)