Ndërtimi i porti të ri të Durrësit është një hap më pranë drejt realizimit. Në ceremoninë e hapjes së garës ndërkombëtare, ministrja Belinda Balluku nënvizoi se porti i ri do të jetë dy herë më i thellë se sa ai ekzistues dhe do të ketë kapacitet tre herë më të lartë të përpunimit të kontenierëve.
Ndërsa kryeministri Edi Rama pohoi se projekti i ri do të impaktojë pozitivisht jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë e vendit.
Ministria e Infrastrukturës hapi garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit, që parashikohet të marrë jetë në zonën e Porto Romanos. Në ceremoninë kushtuar këtij eventi, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se ky investim do t’i shërbejë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi do të lidhet nëpërmjet dy linjave hekurudhore në dy portet e thata, përkatësisht në Prishtinë dhe Strugë.
“Duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë se ai që kemi sot, duke i dhënë kështu mundësinë Shqipërisë për t’u kthyer në një hartë në mes të Mesdheut, duke i shërbyer jo vetëm vendit, por gjithë rajonit. Nga ana tjetër, duam të ndërtojmë një terminal kontejnerësh trefish më të madh, të gjelbërt dhe të automatizuar”, deklaroi Balluku.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se me ndërtimin e portit të ri do të impaktohet pozitivisht direkt ekonomia e vendit, shoqëruar edhe me sigurinë pasi krah portit tregtar do të ndërtohet edhe baza ushtarake e NATO-s: “Një port impakton deri në 3% të PBB. Ky që kemi atje në mes të Durrësit është edhe një turp i madh kombëtar dhe që më në fund do të fshihet që andej, e ka impaktin qesharak. Ky këtu do të jetë një port që nuk do të impaktojë vetëm PBB, por edhe sigurinë tonë pasi, siç e ka parë grupi i projektimit dhe siç na ka udhëhequr Eriku në këtë proces, do të ketë krahun e vet ushtarak duke i dhënë NATO-s një bazë të re ushtarake jo thjesht të re në kuptimin një tjetër bazë të re në numër, por një bazë të re ushtarake me parametra optimal”.
Statistikat e qeverisë nxjerrin të ardhurat në Shqipëri më të larta se sa në Greqi për emigrantët tanë që punojnë në vendin fqinj, ndaj kryeministri kishte një thirrje: “Ndërkohë është një tjetër arsye për t’i thënë shqiptarëve që punojnë në Greqi aktualisht, po marr Greqinë se e kemi edhe fqinjin më të afërt, por është edhe referenca më kuptimplotë, se ndërkohë që rrinë atje, pastrojnë hotele, lajnë pjata, janë të përfshirë në të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me turizmin, të vijnë këtu pa humbur kohë se në mënyrë më absolute me laps në dorë i ngelet më shumë këtu se sa atje”.
Mes sipërmarrjeve që kanë shprehur interes për ndërtimin e portit të ri të Durrësit, janë edhe 5 nga kompanitë më të mëdha botërore, pohoi Kryeministri, teksa mbikëqyrja e procesit do të bëhet nga prestigjozja holandeze Royal Haskoning. (A2 Televizion)