Nard Ndoka, kreu i PDK-së, e cilësoi protestën qytetare si ngjarjen “më të rëndësishme në 35 vite pluralizëm në Shqipëri”.
“Është protestë që të jep shpresë dhe besim që ka qytetarë që mendojnë larg tutelës politike. Ishte krijuar ideja që qytetarët nuk reagojnë, që rinia rri vetëm në kafe dhe kjo protestë ka përmbysur komplet fabulën e politikës shqiptare. Prandaj i shohim të shqetësuar e të acaruar politikanët. Nuk e kishte menduar kurrë Edi Rama që qytetarët mund ta kundërshtonin në vendimmarrjen e tij”, tha fillimisht Ndoka në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Rama është i trembur për vdekje, por edhe opozita është vendosur në një pozitë shumë të vështirë, pasi mendonte se sheshi është pronë e opozitës. Problemi është se ne kemi sot një sistem politik të bllokuar nga dy palët dhe është shumë e vështirë ta depërtosh këtë sistem. Ka marrë formë që në 2008, me marrëveshjet me Bashën e Berishën, kanë vendosur pengesa që të mos tejkalohen nga partitë e reja. Por, ajo që po shohin sot është e frikshme dhe këta janë në panik. Në këtë aspekt, ka një lloj shprese, por që të jem realist është në kufijtë e pamundësisë”, shtoi Ndoka. (A2 Televizion)