Kreu i LZHK Dashamir Shehi theksoi që Rama dhe Berisha po i tremben faktit që protesta qytetare u ka marrë popullin, duke krijuar çetën e tyre.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Shehi vuri në dukje se protestat treguan se njerëzit mblidhen edhe pa parti, dhe pa qenë pjesë e strukturave politike.
“Kanë prodhuar një gjë. Janë masiv, janë simpatikë, as dhunë, që qyteti i dashka. Këta s’kanë nevojë të sjellin militantë partie me furgon nga rrethet, hiç, dalin njerëzit. Si dalin? Burri merr gruan për krahu, marrin edhe kalamajtë, ka një atmosferë pothuajse festive. Çfarë kanë bërë këto? Këto i kanë marrë çetën partive, popullin që është atje poshtë. Këtu ishte krijuar ideja që dy veta mbledhin, Berisha mbledh ata militantët e vet, ky tjetri mbledh ata të vjetrit të Partisë së Punës, të komunizmit, ka edhe këto patronazhistët e rinj, arrivistët, përfituesit, hajdutët", tha Shehi.
"Të tjerët s’kishin çetë deri më sot, s’ishin të përfaqësuar, dhe për sa kohë s’kishin çetë nuk trembej njeri, se idetë nuk trembin këtu. Mirëpo këta kanë bërë çetën e vet tani, që është e madhe, prandaj tremben të dy palët, duhet ta mendojnë këtë punë seriozisht, se ja ku qenkërkan. Nuk i mblidhni vetëm ju, i mbledhim edhe ne pa parti, pa struktura, pa seksion, u mbledhkan njerëzit”, u shpreh kreu i LZHK. (A2 Televizion)