“Rama do ta mendojë mirë reduktimin e bashkive”, Alibeaj: Ka dy mundësi, përplasje si në 97-ën, ose me kuti votimi

Nga A2 CNN
28 Korrik 2026, 22:22 | Politikë

Themeluesi i “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj, ka komentuar Reformën e re Territoriale, duke deklaruar se nëse qeveria do ta reduktojë numrin e bashkive në 30 apo 40, kjo do të shërbejë si një tjetër motiv për mobilizimin e qytetarëve kundër kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alibeaj ngriti dyshime nëse kryeministri do të vendosë ta çojë deri në fund një reformë të tillë, duke argumentuar se Rama “do ta mendojë dy herë”.

Sipas tij ka dy mundësi përpara, ose vendi të shkojë në përplasje si në 97’-ën, ose të përballet me kutitë e votimit në zgjedhje.

Inshallah e miraton Rama Reformën Territoriale në shtator me 30 bashki, sepse do të jetë një tjetër motiv...Një tjetër motiv që të zbresin atje të gjithë, me grua dhe kalamaj, për të rrëzuar këtë. Rama s'ka rrugë tjetër. Këtë historinë e përqendrimit të gjithçkaje e ka në ADN-në e tij politike. Zgjidhje tjetër Rama s’ka përveç se të vazhdojë te përqendrimi. Kam mendimin që këtë ide ka. E pritshme është që Rama të bëjë këtë, mjete zyrtare për ta ndaluar s’ka. Kam përshtypjen se po i trembet, dhe unë po e them, edhe nëse do të bëjë një përqendrim kaq të madh të bashkive, 30-40, do t’i kthehet në bumerang. Me strukturën partiake të kutive të votimit, në një numër me 30-40 bashki, zero shanse kanë që PD të fitojë ndonjë bashki, do t’i marrë të gjitha Rama. Në sytë e njerëzve do të jetë edhe ky një bumerang. Edhe po t’i marrë të gjitha përsëri do t’i kthehet në bumerang. Tjetra, po sikur një nga 40 bashki ta fitojë kandidati i protestës, çfarë ndodh?  Shikoni çfarë do të ndodhë si një lëvizje tektonike kundër pushtetit të Ramës. Në momentin kur ai të ketë përballë një lëvizje gjysmë të strukturuar që do marrë vota, të bardha, të zeza, të kuqe, blu, ai do jetë fundi i vërtetë. Kështu që kam dyshimet e mia nëse do vazhdojë me këtë historinë e 30-40 bashkive. Do ta mendojë dy herë Rama nëse do ta bëjë këtë gjë apo jo", tha Alibeaj. 

"Rama dhe Berisha do shkojnë të dy deri në fund me pazare. Pyetja është: Do shkojnë me përplasje? 97’-ta apo me kuti. 97’ është një mundësi. Ka edhe një mundësi tjetër që është institucionale, SPAK-u, ndërkombëtarët, nëse s’duan që situata të shkojë në zgrip apo të destabilizohet, do marrin masa”, shtoi ai. 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos