Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij “Sy m’sy”, përsëriti se dritarja e hapur e Bashkimit Europian mund të mbyllet nëse nuk shfrytëzohet momenti i artë dhe shtoi se ky moment është i jashtëzakonshëm “që qytetarët shqiptarë të jenë të barabartë me qytetarët e BE-së dhe “shpata e drejtësisë” vepron sipas ligjit dhe jo sipas “kënetës”.
“Të shfrytëzojmë këtë dritare dhe të hyjmë brenda sa është e hapur, se mund të na mbyllet. Është dritare dhe jo derë, është i jashtëzakonshëm si moment, fati po i buzëqesh shqiptarëve për herë të parë. Është qeveria që ia ka dhënë “shpatën” drejtësisë, “shpatën” për të bërë drejtësi dhe nuk është “bufi i kënetës” që thotë “do të shkrijmë SPAK”, “do ta heqim” e bla bla bla, nuk do varet më nga një individ për të vendosur se çfarë do bëjë me vullnetin e popullit. Është barazia para ligjit në BE”, u shpreh Rama, shkruan A2.
“Dhe tjetra, zhvillimi, ekonomia dhe ligjet. Tjetra, pasaporta e Shqipërisë do jetë me të drejta të plota të lëvizjes, jo si dikur, por në pasaportë do shkruhet Bashkimi Europian, frëngjisht dhe anglisht dhe poshtë Shqipëri. Çdo zotërues i asaj pasaporte do ketë të drejta sikurse çdo francez, cek, polak, gjerman, italian etj. Pra, do kenë të gjitha të drejtat si qytetarë të BE, deri te sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që do marrë të gjitha shërbimet. Nuk ka lidhje fare PS, PD, e majta, e djathta, jo e lagu bishtin bufi, jo s’e lagu. Për sa kohë do jemi aty brenda nuk ka rëndësi se kush drejton”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)