Dashnor Sula emërohet kryeinspektor i përgjithshëm

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2026, 15:44 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, duke kaluar nga opozita në një post pranë qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Emri i Sulës ishte përfolur prej javësh për këtë funksion, ndërsa zyrtarizimi erdhi pas një procesi konkurrimi, ku ai rezultoi fitues. Emërimi i tij vjen në një moment kur marrëdhëniet me Partinë Demokratike u përkeqësuan, pasi nuk u përfshi në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fushatës, Sula u shfaq shpesh kritik ndaj drejtimit të PD-së dhe pati deklarata të forta ndaj kryetarit të saj. Nga ana tjetër, në skenën politike qarkulluan edhe zëra për afrimin e tij me mazhorancën.

Inspektoriati i Përgjithshëm ka si mision mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke synuar reduktimin e barrës administrative për qytetarët dhe bizneset. Emërimi i një ish-deputeti opozitar në këtë post pritet të ngjallë debat politik mbi motivet dhe mesazhet që jep ky vendim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos