Qarku i Durrësit rezultoi me deputetët më problematikë për PS-në, të cilët i shkaktuan më tepër dhimbje koke Edi Ramës për shkak të problemeve me drejtësinë, shkruan A2 CNN. Ndërsa gratë deputete, të cilat i shpëtuan imazhin, i shpërbleu me pozicione të sigurta në listën e mbyllur. Ato nuk ishin të vetmet që morën garanci nga Kryeministri mëngjesin me diell të së premtes në Durrës.
“Çfarëdo pale tjetër sot që thotë: ‘Ne, sapo të marrim votën, do ta marrim shpatën mbrapsht drejtësisë dhe gjëja e parë që do të bëjmë me atë shpatë është të presim kokën e Altin Dumanit’, duhet ta dijë se tek kutia e Partisë Socialiste duhet të votojnë edhe të gjithë demokratët dhe të gjithë ata që janë në mes, që duan që barazia para ligjit të mos jetë më në duart e partive për ta vënë në diskutim. Kjo parti është sot ashtu siç ishte PD-ja në ‘92-in, në vendin e duhur, në kohën e duhur”, tha Rama.
Si deputet i qarkut të Durrësit, Kryeministri pa shumë prej shokëve të listës të mbeteshin viktima të shpatës së drejtësisë, nga Lefter Koka te Jurgis Cyrbja. Ndonëse pa i përmendur emrat, sot i konsideron kosto politike.
“I dorëzuam shpatën duke marrë përsipër edhe të gjitha kostot. Ne e çarmatosëm veten dhe armatosëm një pushtet tjetër, i cili me atë shpatë e ka për detyrë, jo vetëm për të drejtë, por për detyrë, që të godasë edhe tek ne kur sheh që ngre kokën ‘tumori’ i korrupsionit”, tha kryeministri.
Për të tejkaluar vështirësitë që po has PS-ja në Qarkun e Durrësit, Edi Rama është i bindur që karta e integrimit nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye, kishte marrë me vete edhe premtimin elektoral për mandatin e katërt.
“Është shumë e rëndësishme që ne, në mandatin e katërt, të bëjmë rrugën që Tur Bushi e kërkon qëkur ka qenë i vogël: Tiranë-Krujë. Qëkur ka qenë i vogël! S’ishte rruga Tiranë-Krujë, iku në Itali. Do ta bëjmë edhe rrugën Tiranë-Krujë tani, se i erdhi radha”.
Kreu i mazhorancës mendon se nuk është ende koha për të parë siglat e partive, kur synimi është sigla e Bashkimit Europian. “Ne duam BE-në. Pastaj PS-ja, këneta, dreqi e i biri, janë për, siç thonë durrsakët, ‘per un’ altra volta’”. (A2 Televizion)