Rama nga Kreta: Me marrjen e pasaportës shqiptare të BE, shteti grek ju njeh vitet e punës për pensionin!

Nga A2 CNN
29 Mars 2025, 18:12 | Politikë

Rama nga Kreta: Me marrjen e pasaportës shqiptare të BE, shteti grek

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me shqiptarët në ishullin e Kretës në Greqi.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama u premtoi futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëse fiton mandatin e katërt në krye të qeverisë.

Po ashtu, Rama tha se me pasaportën e BE-së, shumë shqiptarë që janë pa dokumenta në Greqi dhe jo vetëm, nuk do të kenë më nevojë për to, por do të jenë të lirë të jetojnë dhe punojnë kudo brenda Unionit.

Ai tha gjithashtu se me pasaportën shqiptare e BE-së, shqiptarëve në Greqi dhe në të gjitha vendet e Europës do u njihen automatikisht pensionet për të gjitha vitet e punës në këto vende.

“Fqinjët tuaj nuk kanë më asnjë shans t’ju përbuzin. Sepse ju nuk jeni më të detyruar t’iu thoni mirëmëngjes, edhe kur ata ju thonë plaç. Kjo e juaja është ekzaktësisht historia e rivendosjes së emrit Shqipëri dhe shqiptar aty ku e meriton, është historia e vendosjes së reciprocitetit të respektit të ndërsjelltë dhe të detyrimit për të na respektuar kur i respektojmë në marrëdhëniet mes nesh, mes çdo fqinji të çdo shteti tjetër.

Pyetja e dytë që pret të marrë përgjigje është pyetje se shumë nga ju shpesh bëni për dokumentat, për të qenë më në fund të njëjtë, të barabartë, pa asnjë dallim, jo vetëm në jetën e përditshme të punës, por edhe në letrat e këtij shteti. E pra, sot ne kemi mundësinë e artë që ndërkohë që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë dita ditës një marrëdhënie pozitive me fqinjët tanë këtu në Greqi, të mos presim se deri kur do të bëhen dokumentat për të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu, as të mos presim se deri kur do të përfundojë e gjithë negociata për marrëveshjen e pensioneve, por të gjithë bashkë në 11 maj të votojmë aty ku gjendet forca e duhur, në kohën dhe vendin e duhur, që atë pasaportën që mund t’ju duhet edhe 10-15 vite që ta merrni nga shteti grek, ta merrni nga shteti shqiptar si pasaportë të BE-së.

Kijeni parasysh që pasaporta shqiptare e BE-së është njësoj absolutisht njësoj si pasaporta greke e BE-së. Me pasaportën shqiptare të BE-së, ju mund të qëndroni dhe punoni këtu, mund ta transferoni këtu çdo të ardhur nga pensioni atje dhe ndërkohë shteti këtu duhet dhe ju njëh që në momentin që merrni pasaportën pensionin për punën që keni bërë këtu”, tha Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos