Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar “masa represive” ndaj ndërtuesve që nuk zbatojnë besnikërisht projektet dhe lejet e ndërtimit.
Rama tha se qeveria do të krijojë një listë të zezë për ndërtuesit që shkelin lejet, të cilët do të përjashtohen nga marrja e lejeve të reja.
“Në dy tre vitet në vijim do ta bëjmë intensive pjesëmarrjen tonë në panaire të mëdha të pasurive imobiliare për të prezantuar projekte, investimet potenciale, për të prezantuar investitorët, palët e tjera të interesuara… Nga ana tjetër, kjo kërkon garanci. Garancia është realizimi i projekteve në mënyrë besnike, ne do bëjmë çmos që nga ana jonë të ndërtojmë një plan masash të reja represive që do duhet të balancojnë pjesën e gjithë mbështetjes dhe të gjithë kanaleve të reja që do përpiqemi të hapim për ju dhe industrinë e ndërtimit. Karota nga një anë, shkopi nga ana tjetër, në të kundërt e kemi të pamundur. Mund të humbasim shans historik dhe s’do afrohet njeri për të financuar. Këto projekte të mëdha s’mund t’i realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit e rastit brenda vendit. Listë të zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje”, tha Rama, shkruan A2.
Kryeministri theksoi më tej se të gjitha kantieret do të pajisen me kamera sigurie për monitorim 24 orë: “Kantieret e ndërtimit do kenë kamera 24 orë. Kjo gjë do t’iu vlejë dhe juve në ndjekjen e punës dhe praktikën tuaj. Është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit”.
(A2 Televizion)