Rama prezantoi ‘Rilindjen 2.0’ reagon Boçi: ‘Turpi 2.0’, paketim të ri për dështimet e vjetra

Nga A2 CNN
10 Korrik 2026, 19:48 | Politikë

Rama prezantoi ‘Rilindjen 2.0’ reagon Boçi: ‘Turpi

Nënkryetari i PD-së, njëkohësisht bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi ka reaguar pas takimit të sotëm të Edi Ramës me socialistët ku prezantoi ‘Rilindjen 2.0’. Në një postim në rrjetet sociale Boçi shprehet se ky është turpi 2.0, i Ramës dhe qeverisë së tij.

Duke e cilësuar si “paketim të ri për dështimet e vjetra”, Boçi deklaroi se pas 13 vitesh në pushtet, Rama po premton zgjidhjen e problemeve që sipas tij qeveria duhej t’i kishte adresuar më herët, si uji, transporti publik, mbetjet, strehimi dhe shërbimet publike.

“Kur një qeveri pas 13 vitesh del me versionin 2.0 të premtimeve të veta, nuk po prezanton të ardhmen, por po pranon dështimin e versionit të parë”, u shpreh Boçi.

Reagimi i nënkryetarit të PD, Luçiano Boçi:

Tek e dëgjoja nuk e di pse m’u kujtua ajo shprehja:

‘Kërcen prifti nga belaja’ Sepse kur një qeveri detyrohet t’i vendosë numër të ri të njëjtës propagandë, do të thotë se produkti i parë ka dështuar dhe nuk është vizion i ri.

Është mashtrim i ri ose më qartë është paketim i ri për dështimet e vjetra.

Pas 13 vitesh në pushtet, Rama nuk foli si njeriu që mban përgjegjësi direkte për Shqipërinë e sotme që qytetarët e revoltuar në shesh e anatemojnë me të drejtë.

 Ai foli pikërisht si opozitar i vetvetes. Të gjitha problemet që renditi si objektiva të ‘Rilindjes 2.0’, duke filluar nga uji, transporti publik, mbetjet, parkimet, strehimi, kanalizimet, shkollat, siguria, shërbimet publike dhe cilësia e jetës, janë fusha që i ka pasur nën kontroll absolut si Kryeministër prej më shumë se një dekade.

Dhe nëse sot na premtoka  t’i zgjidhë, atëherë pranon hapur se nuk i ka zgjidhur dje.

Paradoksi këtu është edhe më i madh. Për vite me radhë propaganda na tha se Rilindja ishte një sukses historik.

Ndërsa sot po vetë Rama deklaron se qytetarët nuk kënaqen më me atë që është bërë.

Jo sepse janë ‘mosmirënjohës’, siç përpiqet ta justifikojë, por sepse përballen çdo ditë me shërbime të dobëta, ujë që mungon, trafik kaotik, mungesë parkimesh, kosto të larta jetese, emigrim masiv dhe bashki që mezi paguajnë shpenzimet bazë.

Por më domethënëse se vetë premtimet boshe e të përsëritura si ‘marsian’ i parë i zbritur në tokë, ishte ajo që Rama nuk tha.

Nuk tha asnjë fjalë për reformën territoriale të dështuar që ai vetë e shpalli si sukses historik në vitin 2014.

Ishte pikërisht ajo reformë dhe ky Mashtrues që premtoi bashki më të forta, më efikase dhe më afër qytetarëve dhe që prodhoi bashki azmatike, të paafta, të dobëta, larg qytetarëve e që kanë nxitur braktisjen masive.

E sot, pas më shumë se një dekade, qeveria detyrohet të shpallë një program 1.5 miliardë eurosh në letra e fantazi, për t’u dhënë bashkive atë që reforma duhej t’u kishte garantuar që në fillim që në 2014.

Në fakt drejtpërdrejt, kjo ‘Rilindja 2.0’ e Ramës është aktakuza më e fortë kundër reformës territoriale, të vetën.

Sepse nëse bashkitë sot kanë ende nevojë për një paketë gjigante shpëtimi nga qendra, atëherë reforma nuk prodhoi pushtet vendor.

Prodhoi varësi totale nga Kryeministri dhe kabinetet e tij.

Bashkitë nuk u decentralizuan. U centralizuan.

Nuk e demokratizuan. U politizuan.

Kryetarët nuk u fuqizuan. U kthyen në administratorë fondesh që presin miratimin e qeverisë dhe mbushës kutish me vota politike.

Komunitetet nuk fituan autonomi. Humbën zërin dhe përfaqësimin.

Territoret nuk u zhvilluan por u braktisën.

Shërbimet nuk u shtuan e përmirësuan. Humbën rrugëve, shkollave e qendrave shëndetësore

Ndërkohë ky pa pikë turpi, ky ‘mbreti i kaosit’ të pushtetit lokal, flet për ‘pritshmëri më të larta’ e pra, kjo është një mënyrë idiote për të mos pranuar dështimin.

Nuk janë rritur vetëm pritshmëritë z. Kryeministër!

Janë rritur faturat, çmimet, taksat vendore, kostot e jetesës dhe numri i shqiptarëve që largohen.

Kur qytetarët kërkojnë ujë 24 orë pas 13 vitesh qeverisje, nuk kanë pritshmëri të tepruara.

Kur kërkojnë transport publik normal, nuk janë mosmirënjohës.

Kur kërkojnë shërbime europiane, nuk janë cinikë.

Po ata kërkojnë me ngulm minimumin që u është premtuar prej vitesh.

Vetë premtimi prej 1.5 miliardë eurosh ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje.

Nga do të vijnë këto para?

Sa janë grantet?

Sa janë borxh?

Sa do të paguajnë qytetarët?

Kush vendos prioritetet?

Me çfarë kriteresh do të ndahen fondet?

Sepse historia e ‘Rilindjes Urbane’ nuk është historia e zhvillimit të balancuar. Është historia e projekteve selektive, e fasadave elektorale dhe e shpërndarjes politike të investimeve.

Për më tepër, kjo paketë prezantohet pikërisht në momentin kur qeveria po përgatit një reformë të re territoriale, pa bërë asnjë bilanc serioz të së parës.

Fillimisht dështojnë reformën. Pastaj shpallin një program për të mbuluar dështimin. Më pas përgatisin një reformë tjetër pa pranuar përgjegjësi për të parën. Ky nuk është planifikim. Është riciklim propagande.

Në fund, Rama përdori metaforën e ‘fallxhores’. Por në të vërtetë, problemi nuk janë qytetarët që kërkojnë zgjidhje. Problemi është pushteti që prej 13 vitesh premton mrekulli me emra gjithëfarësoj ngjyrash e gjithfarësoj modernizmash: Rilindje, Shqipëria 2030, Ballkani i Hapur, Paketa e Maleve, Rilindja 2.0, Albanian Files

Po!

Emrat ndryshojnë.

Sloganet ndryshojnë.

PoëerPoint-et bëhen më të bukura.

Ndërsa realiteti mbetet po ai.

Grabitja e hajdutëria  zmadhohen me përmasa e ritme akoma më të jashtëzakonshme.

Dhe kur një qeveri pas trembëdhjetë vitesh del para qytetarëve me versionin 2.0 të premtimeve të veta, nuk po prezanton të ardhmen.

Thkesht po pranon se versioni i vet 1.0 dështoi.

Po pranon se babëzia nuk është ngopur.

Po pranon se tallja e urrejtja ndaj qytetarit vazhdon si më parë.

Rilindja 2.0 është shkurt, qartë, saktë Turpi 2.0. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos