
Kryeminstri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, deklaroi se raporti i Komisionit Europian thotë se “Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027”, dhe kjo, sipas tij, është gjëja më e rëndësishme.
“Raporti thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Dhe, duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Patjetër që në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe në mënyrë cilësore në çdo hap. Natyrisht që raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë. Ajo që ne kemi bërë gjithmonë është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi me të gjithë energjinë te gjysma bosh, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda vitit 2027”, tha Rama, shkruan A2.
“Kjo është ambicia jonë dhe jam shumë krenar që tanimë askush nuk harron të thotë se Shqipëria është në pararojë të këtij procesi, bashkë me Malin e Zi”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)
