Rama takon kryebashkiakët, Berisha: Opozita është në mision, qeveria po shkërmoqet

Nga Anesti Barjamemaj
12 Gusht 2026, 14:43 | Politikë

Edi Rama nis në jug konsultimet me të vetët për ndarjen e re të territorit, Sali Berisha nga Tirana e akuzon për centralizim të mëtejshëm të pushtetit

“Decentralizimi është një parim themelor i një shteti që pretendon të jetë demokratik. Edi Rama ka bërë hiper-përqendrimin dhe hiper-centralizimin e pushtetit në Shqipëri, në disa aspekte, ju nuk e njihni, por absolutisht më shumë se diktatori Enver Hoxha”.

Kryetari i PD vlerëson qëndrimin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Evropës, jo vetëm për sfidën e decentralizimit, por edhe për nevojën e një konsultimi të vërtetë me qytetarët.

“Ka një zhvillim shumë pozitiv në këtë aspekt… Përcaktohet se karta e këtij Kongresi, e firmosur nga Shqipëria, detyron referendumet, detyron konsultimet’’.

Opozitarët në shumë bashki janë në shesh, por Sali Berisha nuk deklaroi asnjë qëndrim konkret institucional për të kundërshtuar hartën e propozuar nga socialistët. Gjithsesi lideri demokrat paralajmëroi një vjeshtë me shumë zhvillime.

“Opozita do të jetë e tëra në misionin e saj, largimin sa më shpejt të Edi Ramës, qeverinë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita do përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie. Dhe siç e shihni, rrokullisjen e saj nuk ka forcë në botë që ta ndalë më”.

Ju referua një sondazhi që sipas tij është bërë nga socialistet për të deklaruar se Rama është në ikje…

“Ka humbur kaq pikë… po shkërmoqet.”

Por kur u pyet së ku është PD me sondazhet Berisha u mjaftua me përgjigjen e tij tradicionale: Ne nuk bëjmë sondazhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos