“Rama të japë dorëheqjen”, Grupi i PD me aksion të dyfishtë, protestë jashtë Parlamentit dhe debat në sallë

Nga Anesti Barjamemaj
3 Qershor 2024, 16:15 | Politikë

Investigimi i publikuar këtë të diel në Rai 3, ku ish-numri dy i Qeverisë hidhte akuza për lidhje të Kryeministrit me mafien, për grupin parlamentar të Partisë Demokratike është një arsye më shumë që Edi Rama të japë dorëheqjen.

Për këtë, kanë thirrur demokratët në protestë. Burime i thanë A2 CNN, se kjo e enjte do të jetë një aksion i dyfishtë deputetët e PD, pasi do të zhvillojnë protestë si brenda sallës së seancave plenare dhe në sheshin para godinës së Parlamentit.

Sali Berisha nga arresti shtëpiak, u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në tubim me kërkesën e qartë për të kërkuar largimin e Ramës.

Ju bëj thirrje ditën e enjte në orën 11:00, të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama. Kalimin në një qeveri teknike dhe natyrisht zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është betejë për jetë a vdekje, Ndaj dhe ftoj shqiptarët të lënë çdo gjë, të mblidhemi para Parlamentit”, tha Berisha.

Teksa qytetarët, të mbështetur dhe nga deputetë e zyrtarë të Rithemelimit do të jenë në shesh, deputetët do të kërkojnë debat parlamentar për akuzat e përsëritura nga Rai 3.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë zhvillimin e një debati parlamentar të enjten, duke ushtruar përgjegjësitë e tij në raport me interesin publik dhe duke nxitur një debat real parlamentar për masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë për prerjen e lidhjeve të krimit të organizuar me qeverisjen”, tha Gazment Bardhi.

Sipas Bardhit, Rama përveç se duhet të largohet nga drejtimi i qeverisë, duhet edhe të merret nën hetim në lidhje me fuqizimin e krimit të organizuar, përgjatë qeverisjes së tij 11-vjeçare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos