Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në sheshin “Skënderbej” para punonjësve të Bashkisë Tiranë, deklaroi se transformimi kolosal i kryeqytetit nuk mund të ndodhte kurrë pa të dhe Erion Veliaj.
“Askush dhe asgjë, asnjë buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës politike dhe mediatike të këtij vendi nuk e mbulon me shishen e blozës diellin e transformimit kolosal dhe historik të Tiranës sonë. Pa mua që e nxora nga koma nën rrënoja, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe Partisë Socialiste, dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, me mbështetjen e të gjithëve ne, ky qytet nuk do ishte kurrë vendi ku shëtisin që të gjithë, opozita, prokurorë, gjykatës, analistë, qytetarë, gazetarë…”, tha Rama.
“Dhe shkojnë e vijnë në punën e tyre duke i çuar fëmijët në çerdhe, shkolla që nuk i lënë asgjë mangët shkollave të Bashkimit Europian”, shtoi kryeministri.
"Këneta thotë se Tiranën e bën koha, kurse përmbytjet i bën Bashkia. Tiranën moderne nuk e bëri koha, e bëmë ne, e bëra unë, lali Eri, ju, grupet e këshilltarëve bashkiakë socialistë dhe progresistë. Dhe të gjithë ata që ndërrojnë turnet për 24 vite me radhë dhe mbajnë Tiranën pastër, e gjithë turistët që vijnë thonë “uaaaa, çfarë është ky qytet i pastër”! E bënë ata që na e dhanë me votë, 7 nga 7, jo siç e bënë ata më 11 maj 2011, kur e morën siç e morën dhe e bitisën, dhe mori erën e atyre që hapën gropat. Më kujtohet një herë, i them berberit: Ore, të duket ty sikur ka filluar të marrë përsëri erë kazanësh Tirana? Jo shef, tha, është era e sqetullës së këtyre në pushtet! Kjo e Tiranës nuk është punë e atyre që s’duan, por e atyre që s’dinë, që shajnë dhe sulmojnë", deklaroi Rama.
(A2 Televizion)