Reagimet online pas vrasjes së gjyqtarit, sociologu: Të korrigjohet 7501, zvarritja e proceseve nxit vetëgjyqësi

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 21:12 | Politikë

Reagimet online pas vrasjes së gjyqtarit, sociologu: Të korrigjohet

Socialogu Gëzim Tushi ishte i ftuar në Off the Record ku bëri një përshkrim dhe të reagimeve online të qytetarëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve ishin pozicionuar në mbrojtje të vrasësit të gjyqtarit Kalaja dhe kundër sistemit të drejtësisë.

Sipas sociologut të njohur, ligji 7501 është një nga shkaktarët kryesorë të krijimit të këtij kaosi me pronën në vendin tonë dhe për këtë arsye nëse nuk mund të kthehet pas të paktën të korrigjohet.

Tushi shtoi gjithashtu se gjyqtarët duhet të tregojnë integritet dhe bëri thirrje që proceset të mos zvarriten për vite me radhë pasi mund të çojnë në ngjalljen e ndjenjës së vetëgjyqësisë te qytetarët.

“Ngjarja që ka ndodhur dhe humbja e jetës së gjyqtarit është një precedent që hapi kutinë e Pandorës dhe shoqëria ka reaguar në mënyrë të diversifikuar, të lidhura me interesat e secilit. Është një ngjarje e rëndë. Kjo në enumeracionin e krimeve është përtej asaj që mund të imagjinohet dhe tregon se krimi kërkon të dominojë. Ka raste kur ligje të gabuara bëhen shkak për vetëgjyqësi. Ligji 7501 e ka bërë këtë kaos të madh. Neni i parë mbron pronën, lirinë dhe prestigjin.

Duhet të korrigjojmë të keqen. Mbase nuk e kthejmë dot 7501 por me ndërhyrje ta kthejmë në normalitet. Kemi ligje shumë, detyra e tij është të mbrojë drejtësinë. E treta ka të bëjë me personalitetin e gjyqtarëve tanë. Të tre këta fenomene janë bërë eksploziv dhe kanë reagime të forta. Nuk kemi shoqëri me urrejtje ndaj drejtësisë.

Vetingu tregoi se drejtësia nuk ishte e purifikuar nga mëkatet. Nëse do të kemi gjyqtarë që nuk shohin ligjin por luksin e tyre, kjo gjë bie në sy dhe qytetari e kupton. Zvarritja e proceseve tregon për një anomali në sistem dhe duhet korrigjuar. Debati që u hap është i mirë. U godit shteti, alarmi duhet të jetë maksimal. Politika duhet të marrë masa për të vendosur shtetin ligjor.

Nëse gjyqësorit i shqepen tegelat nga presioni dhe pasiguria dhe siguria e budallait nuk mund të funksionojë. Nëse magjistratët nuk ruajnë integritet atëherë të gjitha këto çojnë në veprime të gabuara dhe kriminale. Ngadalësia e proceseve është një nga arsyet kryesore që nxit njerëzit, që duke i zvarritur, ndjell ndjenjën e vetëgjyqësisë”, tha Tushi në A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos