Mbledhja e thirrur për shkarkimin e Veliajt, reagojnë avokatët e kryebashkiakut të Tiranës

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 16:44 | Politikë

Mbledhja e thirrur për shkarkimin e Veliajt, reagojnë avokatët e

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, kanë reaguar pas njoftimit publik të bërë nga Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak për datën 23 shtator.

Përmes një njoftimi, avokatët e Veliajt shprehen se “ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues”.

Po ashtu avokatët shprehen se funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës, si dhe nuk ka asnjë tagër ligjor të marrë vendime në emër të Këshillit, shkruan A2 CNN.

Njoftimi:

Lidhur me mbledhjen e thirrur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës

Në datën 22 shtator 2025, Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00.

Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues.

Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës.

Edhe një ditë para mbledhjes:

•             Kryetari i Bashkisë nuk është informuar zyrtarisht për qëllimin e mbledhjes;

•             Nuk është dërguar rendi i ditës;

•             Nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi;

•             Nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur.

Kujtojmë se Kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos