Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesat e opozitës sa i përket shfuqizimit të rregullores së re të Kuvendit, të miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, që synonte ashpërsimin e dënimit për deputetët.
Sipas vendimit të trupës gjykuese, rregullorja e re e miratuar nga socialistët ka paqartësi dhe dënime jo propocionale, ndaj dhe është vendosur rrëzimi i pjesshëm i ndryshimeve.
Me këtë vendim, deputetët shpëtojnë nga përjashtimet me 30 apo 60 ditë nga punimet e Kuvendit në rast se përdorin dhunë ndaj kolegëve, ministrave apo gardistëve.
Por trupa kushtetuese ka vlerësuar të ligjshme përjashtimet e ligjvënësve edhe nga komisionet parlamentare, përveç se nga seancat.
Gjykata ka lënë në fuqi dënimin me 30 ditë në rast se deputeti dëmton pajisjet, orenditë dhe funksionalitetin e tyre në seancë apo mbledhje, si dhe rastet kur përsërit brenda një sesioni parlamentar shkeljet që ndëshkohen me 10 ditë.
Në fuqi mbetet edhe pjesa e Rregullores që ndëshkon me 60 ditë përjashtim, përdorimin e lëndëve apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme. (A2 Televizion)