Rreth 250 mijë aplikime, mbyllet regjistrimi i Diasporës, KQZ shqyrton kërkesat e fundit

Nga Ervin Koçi
5 Mars 2025, 15:29 | Politikë

Mesnata e katër marsit shënoi edhe mbarimin e afatit ligjor për regjistrimin e diasporës. Sistemi elektronik i ngritur pranë komisioni qendror të zgjedhjeve ndaloi marrjen e kërkesave të reja, teksa53 të tilla rezultojnë si regjistrime të datës 5,pasi procesi i nisur brenda limiteve është mbyllur nga qytetari përtej mesnatës.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, në momentin e skadimit të afatit, 231 674 qytetar kishin mundur të plotësonin me sukses regjistrimin si votues nga jashtë, por kjo shifër nuk është çimentuar ende. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbyllë shqyrtimin e kërkesave të ditëve të fundit kur në datat 3 dhe katër mars pati plotë 30 mijë të tilla, çka mund të sjellë edhe një rritje galoponte të votuesve nga jashtë në rreth 250 mijë të tillë. 

Mes shteteve me më shumë aplikime, vendin e parë e mban Italia me mbi 86 mijë votues, ndjekur nga Greqia me rreth 63 mijë të tilla. Vendet e para mbyllen me Gjermaninë me mbi 24 mijë kërkesa për aplikim, SHBA-të me rreth 20 mijë dhe Mbretëria e bashkuar me mbi 16 mijë të tilla.

Kodi Zgjedhor parashikon se çdo votë do të përllogaritet në qarkun ku shqiptari që jeton nga jashtë, ka pasur adresën e banimit, ku Tirana duket se do të ketë një bum votash me rreth 50 mijë të tilla, ndjekur nga Fieri me mbi 30mijë dhe Durrësi me rreth 24 mijë.

Me marrjen e zarfit qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm me fletën e votimit, e mos ta lënë për në momentin e fundit pasi ato do të merren në konsideratë vetëm nëse mbërrijnë në KQZ përpara orës 19:00 të datës 11 maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos