Marko Dajti, kryetari i Frontit të Majtë pritet të jetë kandidati i radhës për Bashkinë e Tiranës. Burime për A2CNN bëjnë me dije se Dajti brenda pak ditësh do të shpallë kandidaturën për të sfiduar Ogerta Manastirliun e Partisë Socialiste dhe Florian Binajn.
Sa i përket aktorit, ai do të kandidojë si i pavarur dhe do të mbështetet nga forcat opozitare. Lidershipi i Partisë Demokratike në një mbledhje të zhvilluar paraditen e së hënës vendosi që në morinë e emrave të mbështesë Binajn, i cili kishte shprehur interesin e tij për të qenë në garë vetëm dy ditë më parë.
“PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, tha kreu i PD, Sali Berisha, në konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
Sakaq vlen të kujtohet se Marko Dajti ka garuar edhe në vitin 2023 për Bashkinë e Tiranës, ku arriti që të merrte 2809 vota.
“Jam i majtë i pandryshueshëm kurrë”. Kështu e cilësonte veten Marko Dajti, në një intervistë për A2 CNN në vitin 2023, kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës.
Ai vjen nga radhët e partisë Fronti i Majtë, një devirat i Partisë së Punës dhe sipas Dajtit, e majta në Shqipëri ka devijuar nga parimet e saj.
“Vendosa të kandidoj pasi pash që e majta nuk po përfaqësohet nga të majtët e vërtetë. Ne po na përfaqëson Erion Veliaj që nuk ka lidhje me të majtën shqiptare dhe duke parë që votat tona po keqpërdoren nga një njeri që nuk ka lidhje me të majtën, unë vendosa që të përfaqësoj të majtën”, shprehej ndër të tjera Dajti.
Që ditën e parë që njoftoi se do të garonte për Tiranën, Marko Dajti u cilësua si “komunisti”, por ai tha për A2 CNN dy vite më pare se ky epitet nuk është i duhuri për të.
“Mund ta përdorin këtë që garoj si komunist, por unë jam i majtë. Për mua komunizmi nuk ka vend sot për sot në Shqipëri. Unë jam i majtë, idealit. Komunistët ishin të tjerë, ishin të tjerë burra që kanë bërë gjëra të tjera. Nuk e besoj që jemi në atë stad që të themi që jam komunist”. (A2 Televizion)