Protesta e banorëve në Fier, kemi 20 vite në banesat tona pa certifikata pronësie

Nga Çaku Tafa dhe Gazmend Janku
7 Tetor 2025, 15:10 | Aktualitet

Përfaqësues të 60 familjeve dhe më shumë se 20 bizneseve që kanë blerë apartamente dhe dyqane në një pallat në lagjen Apolonia të Fierit kanë protestuar para zyrave vendore të Kadastrës, për mos marrjen e certifikatave të pronësisë.

Sipas banorëve prej më shumë se dy dekadash ky problem nuk ka marrë zgjidhje edhe pse ata kane likuiduar çdo detyrim financiar, si ndaj ndërtuesit ashtu edhe ndaj shërbimit që duhej të merrnin nga Kadastra.

Me banorët është edhe ndërtuesi i pallatit i cili pohon se fillimisht ka patur një pasaktësi mes metrave të deklaruara nga ish-pronarët e truallit, problem i cili ka kohë që është zgjidhur.

Por pavarësisht kësaj Kadastra ende nuk ka mundësuar dhënien e certifikatave. Jashtë kamerave i kontaktuar në lidhje me këtë problematikë drejtori i Kadastrës së Fierit Evarist Kazheli ka pohuar se dosja do të trajtohet me prioritet për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë shqetësimit të banorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos