Sherr në distancë Meta-Kryemadhi, Monika e "njehson" me Dumanin, ish-presidenti: "Zeqine" e SPAK

Nga Armand Bajrami
7 Korrik 2025, 16:52 | Politikë

Vajta e radhës në SPAK e deputetes Monika Kryemadhi, në zbatim të masës “detyrim për paraqitje”, u pasua me një përplasje në distancë mes saj dhe ish-bashkëshortit, Ilir Meta.

Duke ju referuar pretendimeve SPAK, por edhe shfajësimit të Metës, se nuk kishte pasur dijeni mbi përdorimin prej saj të një karte krediti, Kryemadhi tha se babai i fëmijëve të saj po ripërsëriste deklaratat e Altin Dumanit.

“E para, më vjen shumë keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit, Sotir Kllapit dhe Arben Krajës, gjë që ka të bëjë me çështje dhe këndvështrime të ndryshme të asaj që lexojmë në një dosje të përbashkët”, tha Kryemadhi.

Ish-presidenti në qeli reagoi përmes një postimi në Facebook ku e etiketoi ish-bashkëshorten si “Zeqine” të SPAK-ut.

“Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të. Por kur të komandon halli bëhesh ‘Zeqine’ e SPAK-ut. Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta bankare të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni”, shkroi Meta në Facebook.

Kryemadhi mohoi të kishte përdorur kartë krediti të Adrian Shatkut, por pranoi se kishte qenë në SHBA me biznesmenin, të cilin e ka kushëri, dhe se nuk kujtonte nëse prej tij i ishin paguar dhurata apo shërbime.

“Po kam qenë edhe në Berveli Hills, edhe në Santa Monika, edhe në Las Vegas. Kam qenë me kushëririn tim Adrian Shatku, me fëmijët e mi, me kushërirën time Bebe Rexha, kemi qenë për 10 vjetorin e vajzës sime. Unë nuk i mbaj mend. Unë dhuratat e mia do ti marr tani ca më ka marrë. Hotelet janë kryesisht, nuk janë dyqanet e shtrenjta që ta dini. Por edhe po të ishin, nuk kam ndonjë kompleks. 240 mijë USD është gjithë karta e Shatkut, me hotele, me bileta avioni”, deklaroi Kryemadhi.

“Sigurisht edhe unë nuk dua t’i besoj, që ato që ka shkruar Altin Dumani për kartat e saj bankare dhe të Adrian Shatkut janë të vërteta, por ata i shkruajnë për të justifikuar izolimin kriminal të Ilir Metës si lider i Partisë së Lirisë. Se po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje ‘Zeqinesë’ të shkonte të SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ai ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh”, shtoi Ilir Meta.

Kryemadhi tha se çdo lajm mbi life-stylin e saj bëhej për të tërhequr vëmendjen nga trafiku i kokainës në portin e Durrësit dhe se nuk kishte më interes mbi mendimet e ish-bashkëshortit të saj.

“A keni pyetur sa kontejnerë me kokainë kanë kaluar në portin e Durrësit nën mbikëqyrjen e Ergys Agasit dhe SHISH? Normal që zoti Meta informohet vetëm nga për gjëra që i intereson grupit që rri afër tij dhe rreth tij. Nuk më intereson, që të jem e sinqertë as çfarë mendon z. Meta dhe as çfarë vepron z. Meta”, përfundoi Kryemadhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos