Shkarkimi i Veliajt, reagon Bardhi: I njëjti fund i pret ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Ramës

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 19:25 | Politikë

Shkarkimi i Veliajt, reagon Bardhi: I njëjti fund i pret ministrat,

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Këshillit bashkiak të Tiranës, ku u votua për shkarkimin e Erion Veliajt.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se Veliaj iku nga posti i kryebashkiakut si funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë në krye të punëve të kryeqytetit, përcjell A2 CNN.

Bardhi shtoi se i njëjti fund i pret të gjithë ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Reagimi i Bardhit:

Erion Veliaj – shëmbylltyra e Edi Ramës në krye të Bashkisë Tiranë – u shkarkua sot me votat unanime të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ai iku nga drejtimi i bashkisë më të madhe në vend pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë, t'i jepte dorën askujt dhe as të thoshte lamtumirë. Ai iku si funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë në krye të punëve të kryeqytetit.

I sotshmi nuk ishte një mesazh thjesht dhe vetëm për Erion Veliajn. Shkarkimi i sotëm ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë ata zyrtarë socialistë që në shërbim të Edi Ramës kanë vjedhur votat, kanë abuzuar me pushtetin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë përvetësuar pasuritë publike.

I njëjti fund që pret pas dere ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës, duke filluar nga Belinda Balluku. Ora e së vërtetës dhe drejtësisë mund të vonojë. Por, e sigurt është që ajo gjithmonë vjen. Dhe kur vjen, bie pamëshirshëm mbi të gjithë ata që privilegjin e rrallë të të shërbyerit të qytetarëve e shpërdoruan për ambicien, pushtetin dhe pasurimin personal. Kur ajo orë të vijë, "ëngjëlli mbrojtës" i të korruptuarve do të mjaftohet me një psherëtimë keqardhje të jashtme dhe ngërdheshjeje të brendshme që edhe kësaj here nuk ishte ai i rradhës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos