“Luftë brenda llojit në PS”- Topollaj kundërshton procedurën për shkarkimin e Veliajt: Duhej votim i fshehtë!

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 17:21 | Politikë

“Luftë brenda llojit në PS”- Topollaj kundërshton

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, ka kundërshtuar gjatë mbledhjes së Këshillit procedurën për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak.

Topollaj tha gjatë mbledhjes se votimi për shkarkimin e Veliaj duhet të ishte i fshehtë, pasi sipas tij, çdo vendim për individ të caktuar, bëhet i fshehtë.

“Kryetare, për procedurë. Aktet individuale, siç është edhe ky akt individual, duhet të bëhen me votim të fshehtë normalisht. Ne nënkryetarët e Bashkisë, nënkryetarët e Këshillit i kemi zgjedhur me votim të fshehtë. Çdo vendim për një individ bëhet me votim të fshehtë, aq më tepër për emërimin dhe shkarkimin e organeve”, tha mes të tjerash Topollaj.

Ai tha gjithashtu se shkarkimi i Veliajt i shërben luftës së brendshme në PS dhe vetë kryeministrit Edi Rama.

Topollaj shtoi se Rama po bën me duart e Këshillit Bashkiak, diçka që duhet ta bënte vetë si kryetar i Këshillit të Ministrave. Kjo pasi sipas Topollajt, shkarkimi i kryebashkiakëve bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos