“Shkarkimi i Veliajt me metoda të gabuara”- Fabian Topollaj: Bëhet për nevoja të Ramës, duan ta eleminojnë politikisht

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 17:20 | Politikë

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, është shprehur se kërkesa për shkarkimin e Veliajt si kryebashkiak është bërë nga vetë Partia Socialiste për t’i shërbyer nevojave të kryeministrit Edi Rama, për luftën e brendshme politike.

Komentet Topollaj i bëri gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, ku tha se Veliaj si kryebashkiak duhet të mundej me mjete politike dhe jo të eleminohej në këtë mënyrë.

Topollaj shtoi se Veliaj mund të shkarkohej vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, por sipas tij, Rama po e bën atë që duhet ta bënte vetë, me duart e Këshillit Bashkiak, shkruan A2 CNN.

Sipas Topollajt, kryebashkiaku Veliaj duhet të ishte dëgjuar ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit, teksa shtoi se kjo mund të bëhej me një kërkesë drejtuar Prokurorisë përmes nga vetë Këshilli.

“Faleminderit, në fakt si kundërshtar i Erion Veliajt, edhe unë duhet të isha shumë i kënaqur si pjesa dërrmuese e kolegëve të mi opozitarë parafolës, por nuk jam aq. Zakonisht kundërshtarët politikë përpiqen që ta mundin kundërshtarin e tyre me metoda politike. Në fakt kjo që po bëni ju grupi i mazhorancës, nuk është një shkarkim siç do donte një kundërshtar politik. Një kundërshtar politik do duhej që Erion Veliajn ta mundte në fushat ku zhvillohen betejat politike. Në fakt ka trajtat e një lufte brenda llojit, për të eleminuar një kundërshtar të brendshëm politik.

Pse them që ka trajtat e një lufte të brendshme? Sepse mënyra që keni zgjedhur për shkarkimin e Veliajt është tërësisht e gabuar. Kushtetuta e Republikës përcakton që kryetari i bashkisë shkarkohet vetëm nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet vetëm për një arsye, kur konstatohet shkelje e ligjit dhe Kushtetutës. Në rastin konkret ju kryetarin e bashkisë po e shkarkoni se ka bërë disa mungesa në punë dhe jo se keni evidentuar një shkelje të ligjit. Ju e mburrët punën e tij dhe sërish kërkoni shkarkimin e tij. Fakti që ju keni zgjedhur një mënyrë të gabuar për të shkarkuar një kryetar bashkie, të bën të ndiesh se kjo po ndodh për arsye të brendshme për të eleminuar një kundërshtar politik dhe jo për atë që është e vërteta. Kushtetuta mënyrës sesi e shkarkon kryetarin e bashkisë e ka të përcaktuar në rezervë kushtetuese dhe nuk ia ka lënë ligjit të shtojë një mënyrë tjetër. Ku po e shkarkoni Veliajn se ka munguar 3 muaj në detyrë. Në fakt kryetari i Bashkisë shkarkohet vetëm nga Këshilli i Ministrave, vetëm nëse ka kryer një shkelje ligjore apo kushtetuese.

Dua të them me këtë që keni zgjedhur një mënyrë të gabuar për të përmbushur një nevojë të kryeministrit, drejtuesit të partisë tuaj, por që do ta bëjë përmes duarve të Këshillit Bashkiak, një gjë që e ka ai në kompetencë. Rasti i mungesës 3 mujore që verifikohet paraprakisht nga Këshilli Bashkiak, është rasti kur kryetari i Bashkisë mungon pa arsye në detyrë. Dhe një kryetar bashkie që mungon pa arsye ka shkelur ligjin, sepse nuk ka ardhur në punë për 3 muaj. Ky është rasti që ne do të duhet ta kalonim përmes Këshillit shkarkimin e Veliajt. Unë mendoj se Veliaj duhet të akuzohet dhe ndiqet nga Prokuroria për më shumë gjëra sesa po ndiqet aktualisht. Por sot që ne flasim Veliaj është një i pafajshëm dhe nuk mund të shkarkohet për shkak se është duke u ndjekur penalisht, për sa kohë është i pafajshëm. Kjo po bëhet për të larë hesapet brenda llojit, për të hequr Veliajn një herë e mirë dhe për të zgjedhur dikë tjetër në krye të Bashkisë.

Kryetari i Bashkisë ka kërkuar që të jetë prezent kë këtë mbledhje dhe ne i kemi kërkuar një përgjigje hajde po deshe. Kryetari i Bashkisë nuk është me pushime. Ne nëse donim ta dëgjonim, duhet t’i drejtoheshim prokurorisë dhe e gjenin ata mënyrën”, tha mes të tjerash Topollaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos