
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Ditari i Pasdites” me Pandi Gjatën, ka komentuar reformën e re territoriale dhe mënyrën se si po zhvillohet procesi në Kuvend.
Shehi e cilësoi reformën si një nismë me karakter elektoral, duke kritikuar mungesën e një marrëveshjeje më të gjerë politike.
“Elektorale, elektorale, absolutisht elektorale. E para e punës. E dyta, në këtë marrëzi që e kap që çdo gjë vendos ky, thotë ‘e bëj’. Ore, pse e voton me një deputet sa i bën 83? Pastaj të mungon fryma, të mungon shpirti i marrëveshjes”, u shpreh Shehi.
Ai ngriti edhe pyetjen se çfarë do të ndodhë me hartën territoriale në rast të ndryshimit të qeverisë, duke argumentuar se një reformë e miratuar pa konsensus mund të rikthehet sërish në diskutim.
“Këto bashki nesër do administrohen minimalisht një e treta nga pala opozitare. Këto bashki, në qoftë se ndryshon qeveria, çfarë do t’u bëjmë? Do t’u rikthehemi prapë edhe nga e para një reforme tjetër”, deklaroi ai.
Sipas Shehit, një qasje e tillë nuk krijon qëndrueshmëri në administrimin territorial të vendit.
“Me këtë frymë që ka ndërtuar ky, i bie që qeveria tjetër që të vijë të thotë: ‘Tashi e morëm ne, e bëjmë ne si të duam’. I ka mundur katër të tjera, thotë ai tjetri. Domethënë, kjo nuk është logjikë as politike, as shtetformuese”, tha Shehi. (A2 Televizion)