Paratë e hedhura në fushatën elektorale për parlamentaret e 11 majit mund të quhen një investim jo i mirë-menduar nga ana e demokratëve. Raportet e shpenzimeve të partive politike për fushatën elektorale, tashme të publikuara zyrtarisht pranë KQZ tregojnë një panoramë disproporcionale ndërmjet atyre të shpenzuan dhe atyre që fituan.
Ndonëse demokratët akuzojnë socialistët për shpenzime tej normave të lejuara në zgjedhje, në të vërtetë rezulton se më shumë para kanë shpenzuar ata vetë në fushatë se sa partia socialiste. Raporti tregon se demokratët kanë shpenzuar rreth 227 milionë lekë kundrejt 180 milionë lekëve të Partisë Socialiste, ose konvertuar në valutë, 2 milionë e 357 mijë euro PD dhe 1 milionë e 870 mijë euro PS.
Përballë këtyre shifrave sigurisht lind pyetja ku i gjetën paratë partitë politike për shpenzimet në fushatë? Një pjesë të tyre e ka mbuluar buxheti i shtetit, por jo pjesën më të madhe të tyre. Konkretisht socialistë kanë marrë financim publik rreth 65 milionë lekë, ndërsa rreth 104 milionë të tjera kanë qenë të ardhura nga partia.
Në këtë drejtim demokratët duket se kanë qenë më rentabël se socialistët pasi të ardhurat privatë të partisë i kanë më të larta, plotë 171 milionë lekë ndërsa financimin publik 44.8 milionë lekë.
Paratë e shpenzuara kanë qenë për të maksimalizuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, por kur krahason numrin e votave për paratë e shpenzuara, rezulton se demokratët duhet të harxhojmë më shumë për të bindur një qytetar.
Përpjesëtimi shifror ndërmjet 227.150.138 lekëve të shpenzuara me 528592 votave të marra nga PD, rezulton se mesatarisht, partia kryesore e opozitës ka shpenzuar rreth 430 lekë për një bindur një qytetar për ta votuar, ndërsa i njëjti përpjesëtim te socialistët rezulton në 210 lekë, pra gjysma e vlerës.
Të gjitha këto deklarime nga partitë politike do të jenë subjekt auditimi nga KQZ. (A2 Televizion)
