"Shqipëria Bëhet" del me deklaratë: Kleana Xhuveli, garanci që mandati do të kthehet te lista e hapur

Nga A2 CNN
23 Korrik 2025, 22:59 | Politikë

"Shqipëria Bëhet" del me deklaratë: Kleana Xhuveli,

"Shqipëria Bëhet", me anë të një deklarate për mediat, ka njoftuar se është "kundër listave të mbyllura ndaj dhe po luftojmë që të zbatohet marrëveshja e koalicionit me të cilën kërkuam votën te qytetarët".

"Kleana Xhuveli veproi! Jo për ta marrë mandatin për vete, por për të mbrojtur përkushtimin, kohën, djersën e gjithsecilit që ka investuar në këtë lëvizje. Kleana është aty si garanci që ky mandat i 80 000 vullneteve të qytetarëve do të kthehet te lista e hapur sapo këtë të drejtë ta fitojmë ligjërisht", lexohet në deklaratë, shkruan A2.

Deklarata e plotë e "Shqipëria Bëhet":

Sot, KQZ në një seancë publike vendosi për shpërndarjen e mandatit të subjektit tonë, znj. Kleana Xhuveli (nga lista e mbyllur).

Ne jemi kundër listave të mbyllura ndaj dhe po luftojmë që të zbatohet marrëveshja e koalicionit me të cilën kërkuam votën te qytetarët.

Në KQZ arsyetuam përmbledhtaz si më poshtë:

1. Kandidatët nga listat e mbyllura janë dorëhequr nga kandidimi dhe nuk kanë dashur të jenë pjesë e garës përpara përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit;

2. KQZ do të duhej të ishte shprehur brenda afatit ligjor prej 60 ditësh. Referuar nenit 91 pika 2 dhe 97 të Kodit të Procedurave Administrative këto kërkesa konsiderohen të miratuara në heshtje me kalimin e këtij afati. Si rrjedhim, çdo kërkesë e ardhur në adresë të KQZ, që revokonte dorëheqjen, pra pranon mandatin (nga lista e mbyllur), nuk duhej të merrej parasysh, pasi kandidatit i ishte miratuar në heshtje shkresa e parë e dorëheqjes.

KQZ nuk e pranoi kërkesën tonë, dhe mandati rrezikonte të mbetej në listën e mbyllur te kandidati Zeqir Kordhoni (Nisma Thurje) sa kohë ky shkeli zotimin e tij për ta djegur listën e mbyllur. Si rrjedhim, Kleana Xhuveli (Shqipëria Bëhet), e cila ishte në listën e mbyllur jo për të marrë mandat, por për t’i hapur rrugë listave të hapura, u detyrua të bënte të njëjtin veprim në mënyrë që mandati të shkonte për Partinë më shumë të votuar (Shqipëria Bëhet).

Kleana është pjesë e familjes sonë si aktiviste. Ka qenë pranë nesh në protesta, në organizime, në fushatë. Si shumë të tjerë në këtë lëvizje, ajo nuk u bashkua për karrierë apo për interes personal, por për parimet: Gara e hapur, meritokracia, demokratizimi i vendit.

Ajo veproi! Jo për ta marrë mandatin për vete, por për të mbrojtur përkushtimin, kohën, djersën e gjithsecilit që ka investuar në këtë lëvizje.

Kleana është aty si garanci që ky mandat i 80 000 vullneteve të qytetarëve do të kthehet te lista e hapur sapo këtë të drejtë ta fitojmë ligjërisht.

I kërkojmë falje të gjithë mbështetësve për shqetësimin e shkaktuar!

Do të bëjmë çmos që betejën që nisëm për listat e hapura, ta çojmë deri në fund.

Dorina Prethi
Nënkryetare
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos