PS-PD përplasen në Kuvend për protestën. Balla: tubim për hallin e Berishës. Bardhi: S’na lini as të flasim

Nga Anesti Barjamemaj
17 Nëntor 2025, 15:14 | Politikë

Protestat e opozitës ishin kryefjalë e diskutimeve në Kuvend. Në konferencën e kryetarëve socialistët dhe demokratët ishin mbledhur për të diskutuar për kërkesën e opozitës për një mocion me debat për minimumin jetik, por debati devijoi te arsyet e protestave që janë thirrur nga selia blu.

Për socialistët protestat janë alibi për të hequr vëmendjen nga hallet personale të Sali Berishës, por për opozitën rruga është e vetmja mënyrë ku ata të flasin për sa kohë shumica ua ka mbyllur gojën në Kuvend.

“Në 1998 i hiqej imuniteti, kishte protesta. Vijmë më vonë, kur të doni ju, në vitin 2019 kur i hiqej viza amerikane, PD linte mandatet dhe shkonte në protesta. Vijmë më vonë në vitin 2023, kur përsëri nga drejtësia shqiptare merret një masë ndaj tij, prapë kemi protesta. Edhe sot kur thirret si person që ka dijeni, imagjinoni...”, tha Balla.

“Një nga arsyet pse është thirrur sot protesta është sepse opozita nuk po lejohet të ushtrojë të drejtat e veta në Kuvend. Nëse refuzon çdo mocion për debat...”, tha Bardhi.

Vend për debat pati edhe për kërkesën e opozitës për të zhvilluar një mocion me debat për ligjin e minimumit jetik. Ndërkohë konferenca e kryetarëve u mbyll pa një vendim, pasi kërkesa e opozitës nuk gjeti dakordësinë e shumicës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos