Menjëherë pas përfundimit së Samitit të KPE, që u zhvillua në Tiranë, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme).
Kryeministri Edi Rama, foli mbi nxitjen e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe atij privat, duke theksuar rëndësinë e hapësirave ku vendimmarrësit dhe njerëzit në terren mund të ndërveprojnë dhe të shkëmbejnë ide.
Ai theksoi potencialin e Shqipërisë si një qendër për Evropën për shkak të karakteristikave të saj gjeografike dhe kulturore, duke e krahasuar atë me një “Itali të re” për mundësitë dhe mikpritjen që ofron.
Kryeministri identifikoi energjinë, inovacionin dhe turizmin si sektorë kyç për investime, me projekte në zhvillim në energjinë e rinovueshme dhe parqet teknologjike, shkruan A2 CNN.
Shefi i ekzekutivit gjithashtu trajtoi sfidat e Bashkimit Evropian në procesin vendimmarrës, duke theksuar nevojën për unitet për të përballuar fuqitë globale në rritje.
Pjesë nga diskutimi:
Richard Attias: Z. Kryeministër, çelët edicionin e parë fare të takimit të FII Priority për Europën në Tiranë, i cili është një forum investimesh, menjëherë pas organizimit të KPE-së, konferencës së Komunitetit Politik Europian. Çfarë rekomandimi keni për t’i bërë sektorit publik dhe privat qe të punojnë së bashku në epokën aktuale?
Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash, ajo që dua të them është se çfarë ndodhi në Tiranë (zhvillimi i Samitit dhe zhvillimi i Forumit) ishte e paimagjinueshme, deri jo shumë kohë më parë dhe dua t’ju falënderoj shumë ju dhe Institutin tuaj për këtë mundësi të jashtëzakonshme. U habita shumë kur dëgjova nga z.Ramayan se kjo është hera juaj e parë në Europë. Mendoj se kjo është pikërisht një mënyre për t’iu qasur çështjes tejet thelbësore të bashkimit të forcave midis sektorit publik e privat dhe tamam në këto lloj vendtakimesh ku njerëzit, të cilët vijnë nga terreni ku ndodh gjithçka, mund të ndërveprojnë, të ngrenë pyetje, të marrin përgjigje, madje edhe më shumë se kaq, të vihen në kontakt me njëri-tjetrin. Meqë ra fjala, patëm nderin të kishim Presidentin francez këtu dhe, kur po ikte, shkëmbeu kontakte me tri persona. Njëri prej tyre ishte dikush që merrej me kujdesin shëndetësor përmes inteligjencës artificiale, i cili punonte në Londër dhe Presidenti Macron i tha, “pse në Londër? Ti duhet të vish në Paris. Më jep kontaktet. Do të telefonoj.” Është e jashtëzakonshme, është absolutisht mahnitëse.
Richard Attias: E zbulova vendin tuaj – e them me modesti të plotë – vetëm para pak muajsh me gruan time dhe ramë në dashuri me këtë vend, me njerëzit e tij dhe sa herë njerëzit na pyesin, “çfarë mendoni për Shqipërinë” – nuk e di nëse ju pëlqen krahasimi im – por unë mendoj se jeni Zvicra e re e Europës. Jeni fiks në qendër të Europës dhe nga pikëpamja gjeografike keni edhe më shumë të drejtë të jeni qendër për Europën. E dyta, kultura. Larmia e kulturave, larmia e besimeve fetare, një vend i paqtë, një vend tolerance. Pse keni qenë kaq të heshtur deri më sot? E gjithë bota po zbulon tashmë Shqipërinë, po zbulon Tiranën. Nëntëdhjetë për qind e delegatëve tanë janë të habitur pozitivisht me zgjedhjen që bëmë dhe mendoj që ky është vetëm fillimi. Si prisni të jetë e ardhmja e Shqipërisë?
Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse, nga njëra anë, ne – mendoj – nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj. Ky vend, me një territor shumë të vogël, vetëm 28 000 kilometër katrorë, ku gjen dy dete, male, nëntë lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, për të investuar, por, nga ana tjetër, ky vend ka vuajtur tej mase nga stigma dhe ka qenë shumë e vështirë t’i sillje njerëzit në Shqipëri ngaqë stigma ishte shumë e madhe. Pastaj, kur erdhën, sa herë vinin, thoshin: “Oh, po këtu nuk është siç e prisnim”. Tashmë, kemi dalë përtej dhe vitin e kaluar e mbyllëm me 12 milionë turistë, e kjo është shifër e jashtëzakonshme për një vend me vetëm 2,4 milionë. Tani, po kërkojmë të marrim atë çfarë me shumë mirësi po sillni ju në vend, ekselencën, cilësinë më të mirë, sepse na duhet të vëmë një ekuilibër midis masives dhe cilësores, në të kundërt, rrugës, mund të humbim, jo vetëm mundësinë për të qenë Zvicra, që nuk mendoj se e kemi, por edhe mundësinë për të qenë një Itali e re.
(A2 Televizion)