Berisha paralajmëron: Forumet e PD-së do të vendosin nëse do të hyjmë apo jo në parlament

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 12:55 | Politikë

Berisha paralajmëron: Forumet e PD-së do të vendosin nëse do

Ndërkohë që i ka konsideruar zgjedhjet si një farsë elektorale, kreu demokrat Sali Berisha deklaroi sot se do të vendosin forumet e PD-së nëse do të hyjnë apo jo në parlament. Në konferencë për shtyp lideri demokrat u shpreh se edhe nëse marrin pjesë në parlament, do të votojnë vetëm ligjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Të gjitha do vendosen nga forumet. Por unë, në presupozimin e pjesëmarrjes në parlament, deklarova që ne do votojmë vetëm ato ligje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Ky ka qenë. Unë nuk thashë a do marrim apo nuk do marrim. Unë thashë se në qoftë se do marrim, por unë thashë se në rast se marrim, ne do votojmë vetëm këto. Se atë nuk e vendos unë, atë e vendosin forumet. Do ketë diskutime. Por këto janë farsë elektorale, e damkosur ndërkombëtarisht si e tillë para se të zhvillohet. E faktuar totalisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë në raportin e tyre paraprak. Pra, ky është realiteti sot”.

Berisha ripërsëriti edhe njëherë kërkesën e tij për qeveri teknike me një agjendë të qartë, që do të përqendrohet në zgjidhjen e çështjeve të integrimit dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Normalisht vetëm zgjedhje të parakohshme. Pa diskutim. Qeveri teknike, me një agjendë të përcaktuar, problemet që zgjidhen direkt me integrimin dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është kërkesa jonë, për të cilën do luftojmë me të gjithë mbështetësit tanë dhe miqtë tanë në Europë dhe në botë”, theksoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos