Berisha akuza SPAK-ut: Visi i Pojës fshihet në vilën e Gjushit, Surreli përdorej për takime bandash

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 12:48 | Politikë

Berisha akuza SPAK-ut: Visi i Pojës fshihet në vilën e Gjushit,

Në konferencën e së premtes për mediat Sali Berisha ka komentuar sërish operacionin e SPAK dhe Antimafias italiane, që zbuloi linjën e trafikut të kokainës e heroinës përmes Durrësit për në Bari, e që çoi në arrestimin e 42 personave dhe shpalljen në kërkim të 10 të tjerëve, përfshirë Elvis Doçin.

Berisha aludoi se Doçi, i njohur si Visi i Pojës fshihet në shtëpinë e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Ai po ashtu tha se Doçi mund të ndodhet edhe në Surrel, duke pretenduar se disa herë ka qenë i ftuar nga kryeministri Edi Rama në festa familjare.

“Elvis Doçi apo Poja në një hark kohor të shkurtër, mori leje për ndërtimin e dy hoteleve, një në Durrës dhe tjetrin diku te Shkëmbi i Kavajës. Me dy sipërmarrje të vetat. Por Altin Doçi, Altin Poja nuk i sekuestron sipërmarrjen e Rock of Kavaja. Pasi e mbrojti kundrejt shumave, etj, etj, nga shkurti që erdhi urdhri i arrestit nga Italia, pasi e njoftuan ik se tani nuk kemi ç’bëjmë më tutje, dhe ai jeton i qetë në vilën e Gjushit, aty thonë është, por mund të jetë edhe në Surrel, nuk e ka problem fare se ai ka qenë një i ftuar frekuent i Ramës në gostira bashkë me Agasin dhe këta të tjerët. Se thonë se edhe Surreli është përdorur për takime bandash mes Olsit, Suel Çelës etj, po këto janë thënie, duhen dokumentuar, po ua them siç m’i kanë transmetuar”, tha Berisha.

Kryedemokrati vijoi më tej akuzat duke thënë se Poja ka pasur nën kontroll të plotë portin e Durrësit.

E gjitha kjo kupolë që drejtoi këtë farsë, udhëhiqet direkt nga Edi Rama, i cili i ka dhënë Pojës me qira kundrejt një tarife, Portin e Durrësit. Ka tre vjet që aty nuk kapet një gram kokainë. Ndalohet kapja e kokainës sepse është mall për kryeministrin. Dhe nuk janë vetëm këto dy banda, por këto janë... se në Fier, Zeqineja në majë të thanës, Arben Qimja kishte detyrë t’i siguronte vota. Me radhë e me radhë, do ia shohim edhe asaj rekordet. Dhe ky është njëri dimension i shëmtuar i farsës elektorale. Po si Arben Qimja, si Olsi Rama, si Ulsiu, si Blendi Xhabafti, si Sara Mile apo Suel Çela, janë një seri të tjerësh. Këto ishin zgjedhjet”, deklaroi kreu i PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos