Paqartësi për shtatorin, Berisha: Forumet vendosin nëse rikthehemi në Kuvend

Nga Anesti Barjamemaj
23 Maj 2025, 14:51 | Politikë

Teksa ditët kalojnë, Sali Berisha vijon të denoncojë parregullsitë në zgjedhje, ndërsa Kuvendi përgatitet për të pritur sërish deputetët aktualë të enjten e ardhshme më 29 maj.

Në një konferencë për mediat, lideri i opozitës tregoi se pavarësisht se një pjesë e deputetëve nuk do kenë më një ulëse në Shtator, në seancat e mbetura do të vijojnë betejën e lënë në mes para zgjedhjeve.

“Nuk kam asnjë lloj frike se deputetët e opozitës nuk do i qëndrojnë opozitarizmit. Pas kësaj farse elektorale ata do jenë dy herë më të motivuar për të denoncuar para shqiptarëve dhe botës të gjithë farsën e shëmtuar elektorale që ndodhi”, tha Berisha.

Qartësia duket se është vetëm për pak javë, pasi kur pyetet për sjelljen e demokratëve në Shtator, Berisha përgjegjësinë e kalon te forumet e partisë, ku pohon se do të jenë ato që do të vendosin nëse do pranojnë 50 karriget në Kuvendin e ri, shkruan A2 CNN.

“Të gjitha do vendosen nga forumet. Por unë, në presupozimin e pjesëmarrjes në parlament, deklarova që ne do votojmë vetëm ato ligje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Ky ka qenë. Unë nuk thashë a do marrim apo nuk do marrim. Unë thashë se në qoftë se do marrim, por unë thashë se në rast se marrim, ne do votojmë vetëm këto”, u shpreh Berisha.

Kur kanë kaluar gati dy javë nga zgjedhjet e 11 Majit, Berisha pranoi se do të ketë edhe diskutime të brendshme mbi përgjegjësitë e demokratëve sa i përket rezultatit.

“Në çdo kohë dhe në çdo moment, unë kam vetëdijen time se jashtë teorisë së gabimit nuk del askush. Dhe të jeni të bindur ju, se PD pas luftës për paraqitjen ndërkombëtare të kësaj farse, pa diskutim që do bëjë të gjithë diskutimet e brendshme për të gjithë problematikat, defektet, të metat, gabimet”, u shpreh Berisha.

Bashkë me kërkesën për qeveri teknike, përsëriti edhe njëherë se nuk ka ndërmend të lëshojë karrigen e kryetarit të partisë.

“Misioni im mbaron ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos