Shqipëria firmos marrëveshje me Izraelin për Teknologji e Inovacion, Rama: Mundësi për të rinjtë, BE e interesuar për integrimin

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2025, 11:50 | Politikë

Shqipëria firmos marrëveshje me Izraelin për Teknologji e

Shqipëria ka firmosur një marrëveshje me Izraelin për Teknologjinë dhe Inovacionin. Marrëveshja midis shoqërisë ‘TEDA Tiranë”, Bashkia Tiranë dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, për krijimin e një Data Center që do të operojë brenda zonës së Teda Tiranë.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Rama, tha se ky investim strategjik prej miliona eurosh do të mundësojë krijimin e bazës më të madhe digjitale të rajonit, shkruan A2 CNN.

“Ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, qofshin ata që jetojnë këtu, qofshin ata që punojnë jashtë, një punë të shumë mirëpaguar këtu në Tiranë”.

Sipas kreut të qeverisë kjo marrëveshje bëhet edhe në kuadër të prioriteteve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Rama theksoi se procesi i integrimit po ecën me shpejtësi, jo vetëm falë reformave të vendit, por edhe për shkak të interesit të BE-së për zgjerimin, raporton A2 CNN.

“Jetojmë në një kohë kapërcimi epokal në tërësi. Ky është një moment historik për Shqipërinë në të gjithë kuptimin e fjalës sepse është hapur një dritare e një mundësie që nuk vjen dy herë për t’u bërë pjesë e BE, duke shfrytëzuar një hapësirë kohore tejet të shkurtër. Shpejtësia e procesit me të cilin ne po përparojmë në këtë kornizë është më e larta ndonjëherë krahasuar me të gjitha vendet, por jo sepse ne po e bëjmë shumë mirë detyrën, çka nuk diskutohet, por sepse Bashkimi Europian është shumë i interesuar për shpejtësi”.

Ai paralajmëroi se kjo është një mundësi që nuk duhet humbur, pasi një vonesë mund të rikthejë procesin në pikën zero.

“Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshme me rrethanat e sotme të BE. Janë ata po kaq të dëshiruar sa ç’jemi ne që ky proces të mbyllet dhe Shqipëria të bëhet anëtare e BE dhe ne kemi detyrimin që të mos e humbim këtë mundësi, të mos humbim asnjë ditë sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë hapësirë kohore, dritarja mund të mbyllet. Shumë e thjeshtë! Dritarja mund të mbyllet dhe mund të fillojë historia nga e para, siç e kemi parë të zhvillohet kur nuk ishte kjo përputhje e interesave dhe kur pavarësisht se ne bënim detyrën tonë dilte një vend atje ose një vend tjetër dhe thoshte: jo. Pavarësisht se KE rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë, Shqipëria bllokohej nga një veto këtu nga një veto atje”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos