Shqipëria në “Nismën e Tri Deteve”, Begaj nga Varshava: Kontribut në sigurinë rajonale, urë lidhëse mes Evropës Juglindore e NATO-s

Nga A2 CNN
29 Prill 2025, 21:16 | Politikë

Shqipëria në “Nismën e Tri Deteve”, Begaj nga

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, bëri të ditur sot nga Varshava pranimin e  Shqipërisë si vend pjesëmarrës i asociuar në Nismën e “Tri Deteve”, një platformë e përbërë nga shtetet e BE-së që ndodhen midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut. Gjatë Samitit të “Three Seas Initiative” të mbajtur sot në Poloni, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në këtë platformë strategjike.

“Prania jonë brenda Iniciativës së Tri Deteve do të konsolidonte më tej krahun juglindor të kësaj iniciative dhe do të shtonte rolin e saj në perspektivën strategjike, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit për siguri, qëndrueshmërisë demokratike dhe koordinimit transatlantik”, deklaroi Presidenti Begaj para liderëve të vendeve anëtareve dhe partnerëve strategjikë të nismës.

Sipas tij, Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe në negociata për anëtarësim në BE, me praninë e saj i garanton Iniciativës së Tri Deteve konsolidim dhe sjell përparim të përbashkët.

Begaj theksoi rolin e Shqipërisë si kontribuese e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe një urë lidhëse midis Evropës Juglindore dhe hapësirës Euroatlantike.

Gjatë fjalës së tij, presidenti Begaj deklaroi se Shqipëria është e qartë dhe e vendosur për të qenë pjesë e Iniciativës së Tri Deteve, pasi beson fort në vlerat themelore të këtij projekti dhe një aspiratë e tillë bazohet në bindje dhe kontribut.

Ndërsa e cilësoi Iniciativën e Tri Deteve si një shtyllë të domosdoshme për qëndrueshmërinë kontinentale përballë pasigurive gjeopolitike, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Ne besojmë se kjo platformë ofron mundësi konkrete për përparim të përbashkët dhe po ashtu jemi më se të bindur se Shqipëria do të ishte një vlerë e shtuar për iniciativën, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik”.

Kreu i Shtetit renditi hapat e fundëm të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke rikonfirmuar vullnetin e Shqipërisë për mbylljen e tyre brenda dy viteve dhe anëtarësimin e plotë në Union në vitin 2030.

Duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes përmes projekteve, Presidenti Begaj nënvizoi gjatë fjalës në samit se Shqipëria është e angazhuar në zhvillimin e infrastrukturës në sektorët e energjisë, transportit dhe digjitalizimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos