Shqipëria mban sot zgjedhjet parlamentare, të 11-at pas ardhjes së demokracisë. Votimi nis në 07:00 në të gjithë vendin dhe mbyllet në 19:00. Mbi 3.7 milionë (3,713,761) qytetarë me të drejtë vote brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ushtrojnë të drejtën e votimit në zgjedhjen e përfaqësuesve në parlament, si dhe për drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.
Mbi 114 mijë (114,642) qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, ndërsa për herë të parë në Shqipëri voton edhe diaspora, një proces që do të realizohet përmes postës. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më shumë se 245 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë proces.
Në këto zgjedhje garojnë 2046 kandidatë për vetëm 140 vende në parlament.
Për herë të parë KQZ ka firmosur një protokoll me SPAK e Prokurorinë e Përgjithshme. Marrëveshja parashikon për masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin e ndjekjen penale që lidhet me krimet zgjedhore.
Në garën e 11 majit janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.
Kryeministri Edi Rama kërkon një mandat të katërt me fokus integrimin evropian dhe pasaportën e unionit, teksa Sali Berisha e vuri theksin e fushatës së tij tek ekonomia dhe korrupsioni i qeverisë.
Policia e Shtetit ka përgatitur një plan të detajuar masash që procesi zgjedhor të shkojë mirë dhe pa incidente.
Mbi 5 mijë punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë të diel të 11 Majit.
Uniformat blu kanë marrë në ruajtje KZAZ-të, që në momentin që në to kanë shkuar materialet zgjedhore.
Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, merren në ruajtje nga Policia e Shtetit ditën e shtunë.
Me dorëzimin sot në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e policisë tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00. (A2 Televizion)