Zgjedhjet në Shqipëri, rrëfehet Celibashi: Procesi i numërimit, antinjerëzor. Çfarë do të ndryshoja për të ardhmen

Nga A2 CNN
10 Maj 2025, 20:57 | Politikë

Ilirjan Celibashi ka qenë në vijën e parë të organizimit të disa zgjedhjeve në Shqipëri dhe sipas tij, pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, duhen bërë disa ndryshime të rëndësishme, për të modernizuar procesin zgjedhor.

“Ka nevojë për ndryshime rrënjësore në mënyrën e organizimin dhe përgatitjes së zgjedhjeve. Duhet ta modernizojmë, edhe pse kemi futur teknologji, kemi nisur të shpenzojmë më shumë para, por mendoj që jemi mbrapa, jo aq modernë në administrimin e procesit zgjedhor. Komisionet, si ndërtohen sot, duhet të ndryshojë. Nuk jam që partitë politike të përjashtohen 100%, por të mos kenë ato 100% të drejtën për ta realizuar këtë proces”, tha Celibashi në një intervistë për “Skedarin Politik” në A2 CNN.

“Gjithashtu mendoj se procesi i numërimin është thuajse antinjerëzor. Njerëzit qëndrojnë aty të mbyllur për 20 orë për të numëruar votat dhe nuk mund të dalin, qoftë për t’u ushqyer, qoftë për nevojat e tyre personale. Kjo duhet të ndryshojë”.

Bashkëpunimi me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme

Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, vëmendja e SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme është kudo në këtë proces, edhe për votën e Diasporës. “Duket që protokolli i bashkëpunimit ka prodhuar impakt pozitiv te votuesit, ka krijuar besim të shtuar për integritetin e zgjedhjeve. Ka edhe skepticizëm nga jo pak njerëz, edhe për bashkëpunimin tonë institucional. Bashkëpunimi është mirëpritur edhe nga partitë politike. Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK kanë një fokus të shtuar në lidhje me krimet zgjedhore. Janë të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e rolit të tyre për të siguruar standardin zgjedhor”, tha ai.

A mund të anulohen zgjedhjet?

Sa i përket pretendimeve të opozitës për probleme të shtuara në lidhje me votën e Diasporës në Greqi, Celibashi përsëriti edhe një herë se e vetmja mënyrë për të shprehur çdo ankesë është përmes aplikacionit të KQZ.

“Është e sigurt që ne duam të adresojmë çdo lloj shqetësimi në mënyrë që të shmangim çdo lloj spekulimi të mundshëm pas shpalljes së rezultatit. Edhe pse bëhet fjalë për një numër të limituar problematikash”, tha ai.

I pyetur nëse ka bazë ligjore ka që procesi zgjedhor të shpallet i pavlefshëm në bazë të shqetësimeve të partive politike, ai u përgjigj: “Nuk ka rregullim të posaçëm kodi zgjedhor për votimin nga jashtë, por ka parashikime që, për shkelje të rënda të ligjit, zgjedhjet mund të shpallen të pavlefshme. Dhe nëse do të verifikohet që ka shkelje të rënda të ligjit për votimet nga jashtë, mund të shpallen. Që kjo të ndodhë në gjykimin tim probabiliteti është zero. Ato që ne dimë nuk e vënë assesi në dyshim integritetin e procesit zgjedhor”.

U shanë gjatë fushatës, a duhen gjobitur Rama e Berisha?

Në fushatën zgjedhore që lamë pas, nuk munguan sharjet dhe ofendimet mes dy kundërshtarëve kryesorë në garë, Edi Rama dhe Sali Berisha. Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve atje gjobiti Kryeministrin Albin Kurti për gjuhën jo të hijshme të përdorur në fushatën e fundit, a duhet të bëhet edhe në Shqipëri një gjë e tillë?

Celibashi thotë se KQZ në vendin tonë nuk ka tagrin ligjor për ta bërë një gjë të tillë dhe ai vetë nuk është i sigurt që duhet ta ketë apo jo. “KQZ mund të vendoset në konflikt interesi, sepse nga një anë është arbitri për të garantuar rregullat për fushatën zgjedhore dhe nëse hyn edhe te përmbajtja e fushatës, mundet të duket sikur mban anë. Por Kosova e ka, me sa duket është me dobi dhe KQZ ka ndërhyrë dhe ka vendosur sanksione”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos