Sot është Dita e Shqipërisë! Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre! Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale mëngjesin e sotëm, ndërsa u ka bërë thirrje shqiptarëve të të votojnë.
“Mirëmëngjes. Sot është Dita e Shqipërisë! Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre! Votoni!”, shkruan Rama.
Shqipëria mban sot zgjedhjet parlamentare, të 11-at pas ardhjes së demokracisë. Votimi nis në orën 7 dhe mbyllet në orën 19:00. Mbi 3.7 milionë (3,713,761) qytetarë me të drejtë vote brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ushtrojnë të drejtën e votimit në zgjedhjen e përfaqësuesve në parlament, si dhe për drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.
Mbi 114 mijë (114,642) qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, ndërsa për herë të parë në Shqipëri voton edhe diaspora, një proces që do të realizohet përmes postës. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më shumë se 245 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë proces.
Në këto zgjedhje garojnë 2046 kandidatë për vetëm 140 vende në parlament.
Në garën e 11 majit janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.
Kryeministri Edi Rama kërkon një mandat të katërt me fokus integrimin evropian dhe pasaportën e unionit, teksa Sali Berisha e vuri theksin e fushatës së tij tek ekonomia dhe korrupsioni i qeverisë.
(A2 Televizion)