Shumë qendra votimi në Kavajë ende nuk janë hapur.
Nga Partia Socialiste thonë se qendrat nuk janë hapur ende sepse nuk po paraqiten komisionerët e Partisë Demokratike.
Sipas tyre, kjo për arsye se ka pasur ndryshime në emra.
Edhe nga Partia Demokratike konfirmojnë që ka pasur probleme me procesverbalet, çka ka vonuar hapjen e disa qendrave, por po thonë që po rregullohen.
Shqipëria mban sot zgjedhjet parlamentare. Votimi nisi në 07:00 në të gjithë vendin dhe mbyllet në 19:00. Mbi 3.7 milionë (3,713,761) qytetarë me të drejtë vote brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ushtrojnë të drejtën e votimit në zgjedhjen e përfaqësuesve në parlament, si dhe për drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme.
Mbi 114 mijë (114,642) qytetarë do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, ndërsa për herë të parë në Shqipëri voton edhe diaspora, një proces që do të realizohet përmes postës. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më shumë se 245 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë proces.
Në këto zgjedhje garojnë 2046 kandidatë për vetëm 140 vende në parlament. (A2 Televizion)