Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, hodhi akuza të reja ndaj mazhorancës socialiste dhe kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Dangllin në A2CNN, Balliu pretendoi se kryebashkiakja e Vlorës është kushërirë e Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës.
Sipas deputetit demokrat, kjo nuk është rastësi, por pjesë e një sistemi që, siç pretendon ai, funksionon mbi bazën e lidhjeve me krimin.
“Ju mendoni se është rastësi që goca e tezes së Aldo Bares është kryetare bashkie në Vlorë sot nga hiçi?! Është një sistem i ngritur. Kryetar bashkie i lidhur me krimin, i lidhur me drogën! Deputetë të lidhur me drogën! Drejtor Policie i lidhur me drogën! Shefa Krimi të lidhur me drogën!”, tha Balliu gjatë debateve në studio me ish-ministrin e Rendit Bajram Yzeiraj.
Ky i fundit i konsideroi denoncimet si probleme të sistemit dhe të karakterit politik, duke kundërshtuar Balliun për akuzat mbi inkriminimin e Policisë së Shtetit. (A2 Televizion)