Si u bë Vlora Hyseni drejtuesja e SHISH? Nga karriera e ndërprerë në Kosovë, në ekipin e Ramës në Shqipëri

Nga Fjorela Beleshi
22 Shtator 2026, 15:18 | Politikë

Me moton “Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë”, Vlora Hyseni drejton Shërbimin Informativ prej tre vitesh. Por, për herë të parë në historinë e Shqipërisë së pas vitit 1991, kreu i SHISH-it akuzohet nga drejtësia se sekretet shtetërore i ka keqpërdorur, duke i shpërndarë për grupe kriminale.

Po si u bë drejtuesja e SHISH-it, 42-vjeçarja nga Kosova?

Para se të merrte detyrën në Shqipëri, Hyseni ka punuar në inteligjencën e Kosovës, karrierë e nisur që në vitin 2010, ndërsa në vitin 2019 u emërua si numri dy i kësaj agjencie dhe një vit më pas ka shërbyer si ushtruese e detyrës së Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, detyrë të cilën e ushtroi deri në prill të vitit 2021, kohë në të cilën u shkarkua nga Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja e asaj kohe, Vjosa Osmani.

Karrierën e ndërprerë në Prishtinë e vijoi në Tiranë, ku Edi Rama e mori në kabinetin e tij qeveritar, si këshilltare e Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare për dy vite, shkruan A2 CNN. Deri këtu nuk kishte rënë pre e politikës në kryeqytetin shqiptar, por emri i saj u përfol kur Rama vendosi që, më 17 mars, ta propozonte si drejtuese të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, me argumentin se integriteti që ajo gëzon në komunitetin ndërkombëtar ishte një garanci për këtë institucion të sigurisë kombëtare.

Ndryshe nga optimizmi i Ramës, opozita ishte skeptike, duke i kërkuar Presidentit Begaj që të mos e dekretonte pa marrë informacione në Kosovë se përse e kishte shkarkuar Albin Kurti.

Por këto zëra nuk shkuan në veshin e Presidentit Bajram Begaj, i cili e dekretoi Vlora Hysenin si drejtuese të SHISH-it më 3 prill të vitit 2023. As sot, pas më shumë se tre vitesh, kreu i Shtetit, me zyra në Pallatin e Brigadave, duket se nuk ka dëgjuar ende asgjë nga “zhurma” e drejtësisë, duke mos u shqetësuar për cenimin e sigurisë kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos