Dhuna e ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec, në sytë e Policisë së Shtetit, mbërriti edhe në Parlament.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, pohoi se për dhunën ndaj qytetarëve nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe sipas tij përgjegjës për gjithë situatën është shteti.
“Në mendimin tim, dhuna e ushtruar ndaj protestuesve paqësor nuk është thjesht tejkalim kompetencash, apo një deklaratë e hartuar gabim. Por, është më e thellë, është pasojë e keqqeverisjes së sektit Rama”, tha Leskaj, shkruan A2.
Sipas Leskajt, përgjegjës kryesor për situatën është Edi Rama, të cilin e quan gjenerator të përplasjes sociale dhe e akuzon se nuk po bën transparence: “Reagimet e tij duken më shumë si përpjekje për të justifikuar veten dhe për të mos bërë transparencë. Rama duhet të japë llogari pse ka inicuar ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura që sollën dhe përplasjet në Zvërnec”.
Deputeti demokrat shtoi se për përplasjen në Zvërnec nuk mund të fajësohen banorët, investitori dhe as shoqatat mjedisore që kërkojnë transparencë, por duhet të fajësohet Edi Rama.
Leskaj denoncoi dhe qëndrimet që vijnë nga Greqia, sipas të cilave fshati Zvërnec është i banuar nga minoritarë grekë, duke pohuar se nuk janë të bazuara në asnjë evidencë historike. (A2 Televizion)