Zbulimi i skemës së zhvatjes së pacientëve te Spitali Onkologjik shkaktoi debate edhe këtë të hënë te Komisioni i Shëndetësisë. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, kërkoi që të kishte seancë dëgjimore urgjente me drejtuesit e spitalit dhe vizitë në terren, por nuk gjeti mbështetjen as të koleges së partisë, Zheni Gjergji.
Pjesë nga debati
Albana Vokshi: “Ne s’duhet të ishim këtu sot, por duhet të ishim atje. Për të parë se si trajtohen pacientët, si jepen kurat. Si është situata me aparaturat”.
Zheni Gjergji: “Edhe kjo seancë me përfaqësuesit e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka kohë që zvarritet, ne e kemi kërkuar dhe është mjaft e ndjeshme dhe për qytetarët”.
Albana Vokshi: “Nuk mund të diskutohet asgjë tjetër përveç onkologjikut”.
Edhe socialistët u shprehën kundër debatit për Onkologjikun, pasi sipas tyre mendimet e pakicës dhe shumicës janë shumë të qarta për këtë çështje. “Opozita ka marrë një detyrë shumë të rëndësishme për të hedhur baltë mbi gjithçka që është arritur”, tha deputetja e PS, Klodiana Spahiu.
Shkak për vijimin e debate u bë dhe vizita e kreut të qeverisë në onkologjik. “Pa dyshim që ju nuk do ju pëlqejë vizita e kryeministrit tek onkologjiku”, tha Spahiu. “Nuk mori mendimin e asnjë mjeku”, iu përgjigj Gjergji.
Pas debateve me tone të larta, palët ranë dakord që seanca dëgjimore me përfaqësuesit e spitalit onkologjik dhe ministrisë së Shëndetësisë të zhvillohet ditën e premte. Me kthimin e qetësisë në sallë, nisi dhe seanca dëgjimore me përfaqësuesit e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Zëvendësministri Niko Hyka pohoi se do të ndryshojë lista e barnave të rimbursueshme, ku do të shtohen dhe medikamente për trajtimin e sëmundjeve tumorale. “Do kemi një listë të re barnash që prek një kategori të shumtë pacientësh”. Zëvendësministri nuk dha detaje mbi medikamentet që do shtohen në listën e barnave me rimbursim, e cila nuk ka ndryshuar prej dy vitesh. (A2 Televizion)