Koordinatori i programit ekonomik në PD, Dorjan Teliti, është shprehur se skema e re e pensioneve, e krijuar në vitin 2014 nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, ka dështuar.
Komentet Teliti i bëri në ‘Ditari i Mesditës’ me gazetaren Denisa Pasholli në A2 CNN, ku tha se dështimin e skemës së pensioneve e ka pranuar edhe vetë qeveria Rama, që është autore e saj.
Ai tha gjithashtu se thirrja e opozitës para se të krijohej kjo skemë ka qenë që të uleshin në një tryezë të përbashkët për realizimin e saj, pasi sipas tij, skema e pensioneve është e vlefshme për 3-4 dekada dhe shkon përtej partive politike e mandateve të tyre, por sipas Telitit, qeveria e PS nuk i mori parasysh kërkesat e tyre.
“Kur diskutohej skema që është sot, thirrja e opozitës ka qenë hajde të bëjmë një skemë të gjithë bashkarisht. Të ulemi në tryezë gjithë politika shqiptare, pasi skema e pensioneve nuk është as 5 dhe as 10 vjeçare, por për 3-4 dekada dhe shkon përtej partive politike dhe mandateve të tyre. Shkon përtej një brezi madje.
Fakti që ne jemi sot fiks pas 10 vitesh, 2015-2025, ku vetë qeveria, autori që ngriti skemën e re të pensioneve e pranon që ajo skemë tashmë nuk funksionon. Pranon faktin se duhen bërë ndryshime rrënjësore të kësaj skeme. Ka dështuar. Në vitin 2014 deficiti e skemës ka qenë 315 milionë euro, ndërsa dot në vitin 2025 parashikohet në 500 milionë euro”, tha Teliti, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)