Krimet zgjedhore, kryeprokurori Olsian Çela takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2025, 12:25 | Politikë

Krimet zgjedhore, kryeprokurori Olsian Çela takim me drejtorin e

Kryeprokurori Olsian Çela ka takuar ditën e sotmë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, shkruan A2 CNN.

Përmes një njoftimi, Prokuroria e Përgjithshme ka shkruar se objekt i takimit ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Policisë së Shtetit në kuadër të hetimit të krimeve zgjedhore.

Po ashtu në njoftim Proda e siguroi Çelën për angazhimin e strukturave të policisë së shtetit gjatë procesit zgjedhor në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi.

Njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme:

Prokurori i Përgjithshëm takon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dakordësi për masa për zbulimin dhe hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore    

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela u takua ditën e sotme me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z.Ilir Proda.

Objekt i takimit ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Policisë së Shtetit në kuadër të hetimit të krimeve zgjedhore.

Nga drejtuesit e të dy institucioneve, u ra dakord për një sërë masash administrative që synojnë zbulimin dhe hetimin e shpejtë dhe efikas të krimeve zgjedhore, përmes një angazhimi tërësor të strukturave përkatëse, që do i përgjigjet nevojave specifike që lidhen me periudhën zgjedhore.

Hetimi i krimeve zgjedhore do të konsiderohet si prioritet institucional e do të jetë objekt i punës së strukturave të posaçme hetimore që do të krijohen me prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilat do të mbështeten gjithashtu me burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike nga Policia e Shtetit për përdorimin e metodave speciale të hetimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e siguroi Prokurorin e Përgjithshëm për angazhimin e strukturave të policisë së shtetit gjatë procesit zgjedhor në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi.

Prokurori Përgjithshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përveç shprehjes së angazhimit të plotë insititucional, inkurajojnë të gjithë qytetarët si dhe çdo subjekt tjetër të denoncojnë në kohë krimet zgjedhore dhe të bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese për hetimin e plotë të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos