Berisha tregon se kur do të nisë lobimi për heqjen e non-gratës nga SHBA!

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2025, 12:53 | Politikë

Sali Berisha është i vendosur të kërkojë heqjen nga lista e zezë në SHBA, ku është vendosur prej vitit 2021. “Unë nuk e kam filluar lobingun sepse janë gjithsej 14 ditë që ka filluar administrata e re. Dhe unë nuk besoj që në ditët më të para të saj, të jetë përparësi ky problem. Kështu që unë jam i vetëdijshëm se duhet të plotësohet administrata, domethënë është një proces konfirmimesh që duhet të kalojë në Kongres”, tha Berisha në një konferencë për mediat, shkruan A2 CNN.

“Dhe procesi i konfirmimeve të zyrtarëve nuk ëshët vetëm për sekretarët e shtetit, por edhe për persona nën rangun e tyre. Unë pres që të plotësohet administrata e re dhe pa asnjë diskutim do i drejtohem administratës së re. I vetmi shkak që nuk i jam drejtuar është kjo. Dhe jam besimplotë sepse është kuptuar universalisht që ai ishte një akt politik i George Soros-it dhe se Sekretari i Shtetit e ka bërë atë pa respektuar asnjë ligj të vendit të vet, pa asnjë dokument në dosje, thjesht me lobimin korruptiv të George Soros-it”.

Në maj të vitit 2021, Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” nga SHBA. Në një mesazh në “Twitter”, tashmë ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkruante se Berisha dhe familja e tij ishin shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohej hyrja në vend.

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante Sekretari Amerikan i Shtetit.

Me ardhjen në pushtet të Donald Trump, demokratët janë të bindur që vendimi do të shfuqizohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos