Kryeministri Edi Rama, në fjalën gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, pasi deklaroi se nuk pendohet për Reformën në Drejtësi, nuk kurseu kritikat për SPAK-un dhe GJKKO-në.
“Nuk jemi lëkundur në këtë rrugë, nuk do të lëkundemi as sot, pavarësisht fakteve që, përveç arritjeve të padiskutueshme, pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera-herës shenja të sëmundjes së vjetër. Pushteti i ri i drejtësisë mban ende në radhët e veta, lart e poshtë, nëpër Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë dritëshkurtër, mendjengushtë e me mungesë integriteti, që e bëjnë të bardhën të zezë, ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit reagon sikur fle në këmbë. Rastet e fundit, kur disa prokurorë dhe gjyqtarë i kanë rënë ndesh ligjit duke mbajtur krahun e shkelësve të tij”, tha Rama, shkruan A2.
“E vërteta e madhe është se nuk bën përjashtim as SPAK-u, krenaria e vetme e Reformës në Drejtësi, as Gjykata Speciale që nuk po del nga hija e SPAK-ut. Edhe këto institucione na kanë dhënë arsye dhe për t’u habitur dhe shqetësuar shumë seriozisht, mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave në liri, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve për paracaktuar në pazare fatin e personave të hetuar", shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)