"Super-komisioni antikorrupsion", Xhafaj: Një shtrirje dore për opozitën, ka edhe kolegë nga Foltorja që duan zhvillimin e vendit

Nga A2 CNN
8 Maj 2024, 13:03 | Politikë

“Një super-komision që do të kontrollojë të gjitha hallkat.” Kështu e ka cilësuar opozita Komisionin e Posaçëm për “Shqipërinë 2030!” të propozuar nga PS. E megjithatë, deputeti socialist Etjen Xhafaj thotë se në fakt bëhet fjalë për një shtrirjeje dore nga ana mazhorancës për opozitën.

Në një bisedë me Denisa Pashollin në “Ditari” në A2 CNN, deputeti socialist theksoi se nuk bëhet fjalë për asnjë kontroll, por për një thirrje për ta luftuar korrupsionin në të gjitha hallkat.

“Përkundrazi, flitet për paprekshmëri të Reformës në Drejtësi. Për të ndërmarrë një iniciativë në shumë nivele. Për të mundësuar një reformë të tërë strukturore.”

I pyetur nëse shtrirja e dorës i është drejtuar grupimit të Bashës, duke qenë se “Rithemelimi” mban qëndrime të tjera ndaj drejtësisë se re, Xhafaj thotë se thirrja është për të gjithë kolegët e opozitës.

“Ka shumë kolegë edhe nga Foltorja që janë të interesuar në zhvillimin afatgjatë të këtij vendi.”

Deputeti socialist foli për nevojën e një tryeze në të cilën do të duhet të diskutohen çështje për të mirën e vendit dhe për shmangien e një “show mediatik.”

“Të dëgjojmë të treja degët e pushtetit dhe të gjejnmë një skemë për ta luftuar korrupsionin.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos