Iu desh të shtynte orarin, teksa fjalimi i Ramës nuk po mbaronte dhe protesta kundër Veliajt në krahun tjetër kishte nisur. Kur gjeti hapësirën për të thënë fjalën e tij, Lulzim Basha e quajti justifikim adresimin dy orësh të kryeministrit që qeverisë vendin prej 11 vitesh.
“Dy orë për t’i mbushur mendjen shqiptarëve, se pas 11 vite qeverisje ekonomia e tyre, kostoja e jetesës, shanset për punësim të rinisë, rrogat e ulëta, gjendja e mjerueshme e shëndetësisë së premtuar falas dhe përgjysmimi i vendit në këto 11 vite, nuk janë përgjegjësi as e Edi Ramës, as qeverisë së tij. Dy orë për t’i mbushur mendjen vetes dhe atyre që e rrethonin se radha e gjatë e bashkëpunëtorëve që ndodhen sot në qelitë e SPAK-ut, në kërkim ndërkombëtar për korrupsion apo nën hetim për vjedhjet qindra milionë euroshe, nuk janë përgjegjësi as e kryeministrit, as e qeverisë”, tha Basha.
Kreu i qeverisë zgjodhi që të fliste pa emra kur deklaroi se nuk do të mbronte askënd, por sipas kreut të Partisë Demokratike zyrtare përgjegjësi i parë duhet të jetë vetë Rama.
“Asnjë vend tjetër, nuk ka parë, as mund të imagjinojnë qytetarët e këtij vendi që një kryeministri t’i kapet në flagrancë zëvendëskryeministri, ministri i brendshëm, kryebashkaiku i tij i preferuar, kryebashkiaku i kryeqytetit, dhjetëra ministra e zëvendësministra, sekretar të përgjithshëm, drejtorë të përgjithshëm, dhe ai vet për asnjë çast mos të pranojë përgjegjësinë që ka, përgjegjësinë politikë që ka për këtë orgji korrupsioni e cila rëndon mbi shqiptarët e thjesht”, shtoi kryedemokrati.
Një mesazh edhe për ata që, ndërsa Basha fliste nga foltorja e selisë, protestonin para bashkisë.
“Ditën bëjnë sikur protestojnë dhe natën bëjnë pazare. Ky është modeli që shkatërron besimin”, përfundoi Basha.
Sipas Lulzim Bashës ai është opozita e vërtetë dhe kërkoi bashkëpunim për miratimin e nismave të propozuara prej tij. (A2 Televizion)